Protesta e opozitës, reagon ministria e Brendshme: Çfarë ka kërkuar Xhafaj
(PLANI me mbështetjen e ekspertëve të huaj)

Reagon ministria e Brendshme për protestën që do mbahet nesër nga opozita.
Në reagim thuhet se me kërkesë të ministrit Fatmir Xhafaj është hartuar një plan masash me bështetjen e vendeve partnere që do asisotjnë Policinë e Shtetit.
“Ministria e Brendshme, respekton të drejtën e qytetarëve për të protestuar dhe njëherazi mbështet punën e Policisë së Shtetit në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Ashtu si edhe në protestat e mëparshme, Policia e Shtetit mbetet e angazhuar në zbatimin me korrektësi të ligjit, pavarësisht dhunës verbale dhe fizike të ushtruar ndaj saj në disa nga këto tubime.
Me kërkesën e Ministrit të Brendshëm, hartimi i këtij plani masash është bërë me mbështetjen e misioneve të vendeve partnere, të cilat asistojnë Policinë e Shtetit. E gjithë veprimtaria e Policisë, ditën e nesërme do të asistohet dhe monitorohet, gjithashtu, nga ekspertë të huaj, të cilët janë atashuar pranë Ministrisë së Brendshme”, njofton MB ndërsa bën edhe një apel ndërgjegjësimi për qytetarët.
“Ministria e Brendshme ju bën thirrje qytetarëve dhe përfaqësuesve të subjekteve politike, të mbështesin Policinë e Shtetit në ushtrimin e detyrës së saj dhe të distancohen nga individët me mendësi e prirje të dhunshme.
Policia e Shtetit ka të gjitha kapacitetet për të garantuar të drejtën e tubimit. Në të njëjtën kohë, ajo do të veprojë sipas përcaktimeve ligjore ndaj kujtdo që cënon rendin dhe sigurinë dhe do t’i përballë ata me ndëshkimin e duhur ligjor”, thuhet në reagimin e ministrisë së Brendshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



