Aksident tragjik në Pezë të Tiranës, 16-vjeçari humb jetën
Plagoset shoku i tij 15-vjeçar
Një aksident i rëndë automobilistik është regjistruar mbrëmjen e së martës, 29 shtator, në zonën e Pezës, duke i marrë jetën një 16-vjeçari. Në të njëjtën ngjarje ka mbetur i plagosur edhe shoku i tij 15-vjeçar.
Sipas të dhënave paraprake, dy të miturit po udhëtonin me një automjet, ndërsa në drejtimin e tij ndodhej 16-vjeçari. Në rrethana që ende nuk janë bërë të plota, ai ka humbur kontrollin mbi mjetin, i cili ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanal.
Përplasja ka qenë fatale për 16-vjeçarin. Pavarësisht ndërhyrjes, ai nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra si pasojë e aksidentit.
Ndërkohë, 15-vjeçari që ndodhej në automjet është dërguar në spital për të marrë ndihmën mjekësore. Sipas informacionit paraprak, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Një tjetër detaj që po verifikohet nga autoritetet lidhet me mënyrën se si dy të miturit kanë siguruar automjetin. Sipas të dhënave të deritanishme, 16-vjeçari dyshohet se e kishte marrë makinën pa dijeninë e të atit.
Policia ka nisur hetimet për të përcaktuar me saktësi dinamikën e aksidentit, shkaqet që çuan në humbjen e kontrollit të automjetit dhe rrethanat e tjera të kësaj ngjarjeje tragjike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



