Toni Gogu: Çdo marrje në pyetje nga hetuesit do regjistrohet me audio
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, prezantoi paketën e ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, duke vënë në fokus kufizimin e paraburgimit, zgjerimin e alternativave ndaj burgimit dhe forcimin e të drejtave të personave nën hetim. Konsultimi publik do të vijojë deri më 28 tetor.
Ministria e Drejtësisë ka hedhur për konsultim publik një paketë të re ndryshimesh në Kodin e Procedurës Penale, e hartuar në bashkëpunim me Këshillin e Evropës. Ndërhyrja synon të prekë disa prej mekanizmave më të rëndësishëm të procedurës penale, veçanërisht mënyrën e përdorimit të paraburgimit dhe garancitë që shoqërojnë kufizimin e lirisë.
Paketa u prezantua nga ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, në një aktivitet ku ishin të pranishëm Kryeministri, përfaqësues të Këshillit të Evropës dhe drejtues të institucioneve të drejtësisë.
Në fjalën e tij, Gogu e vendosi theksin te nevoja që çdo vendim që kufizon lirinë e një individi të jetë i argumentuar në mënyrë konkrete. Për këtë ai iu referua edhe çështjes së Afërdita Hysës, e cila është shqyrtuar nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.
Paraburgimi, në qendër të reformës
Të dhënat e Këshillit të Evropës të cituara nga ministri tregojnë se gjatë vitit 2024, rreth gjashtë në dhjetë persona që ndodheshin në institucionet penitenciare shqiptare nuk kishin ende një vendim përfundimtar.
Një tjetër tregues i rëndësishëm lidhet me kohëzgjatjen e paraburgimit. Sipas të dhënave të referuara në aktivitet, mesatarja në gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm arrinte në rreth 253 ditë.
Përballë këtyre shifrave, Gogu argumentoi se masa e arrestit në burg duhet të përdoret vetëm kur është e domosdoshme dhe se vetë rëndësia e akuzës nuk duhet të shërbejë si argument i vetëm për heqjen e lirisë.
“Kur sot 2353 njerëz ndodhen në paraburgim, një pjesë e madhe e tyre presin, presin një vendim përfundimtar, ne duhet të shqyrtojmë kohëzgjatjen, duhet të shqyrtojmë arsyetimin dhe alternativat në funksionimin e sistemit”, u shpreh ministri.
Sipas tij, gjykimi për një masë sigurie duhet të shoqërohet me një arsyetim të qartë se përse masat e tjera, më pak kufizuese për individin, nuk do të ishin të mjaftueshme.
Çfarë parashikojnë ndryshimet
Projektndryshimet përfshijnë disa fusha që lidhen drejtpërdrejt me të drejtat e personave gjatë procesit penal.
Ndër pikat e parashikuara janë:
- forcimi i të drejtave të mbrojtjes gjatë fazës së hetimit;
- kufizimi i aksesit në të dhënat personale që mund të merren gjatë sekuestrimit të telefonave;
- forcimi i prezumimit të pafajësisë;
- masa shtesë për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje;
- zhvillimi i alternativave ndaj paraburgimit;
- regjistrimi audioviziv i marrjes në pyetje;
- përcaktimi i rregullave më të qarta për provat digjitale.
Një pjesë e rëndësishme e paketës lidhet me mbikëqyrjen elektronike, e cila, megjithëse ekziston si mundësi në kuadrin ligjor, aktualisht nuk po zbatohet në praktikë.
Mbikëqyrja elektronike, premtimi për zbatimin brenda pranverës
Gogu deklaroi se qeveria ka siguruar fondet për funksionimin e sistemit të monitorimit elektronik dhe se Ministria e Drejtësisë synon ta bëjë atë funksional brenda pranverës së vitit të ardhshëm.
“Ndërsa ne flasim, askush nuk gjendet nën mbikëqyrje elektronike, siç parashikon ligji dhe një alternativë që ekziston vetëm në ligj, nuk është kurrfarë alternative”, deklaroi ministri.
Ai shtoi se përgjegjësia për kthimin e kësaj mase nga një parashikim ligjor në një mekanizëm të zbatueshëm i takon ekzekutivit.
Sipas Gogut, përveç monitorimit elektronik, zbatimi praktik i ndryshimeve kërkon edhe investime në pajisje, ekspertizë dhe burime njerëzore. Për këtë arsye, ai nënvizoi nevojën që hyrja në fuqi e disa prej dispozitave të reja të bëhet në mënyrë pragmatike.
Strategji e përbashkët për paraburgimin
Ministri propozoi gjithashtu hartimin e një strategjie të përbashkët për trajtimin e çështjeve që lidhen me paraburgimin. Në këtë proces pritet të përfshihen Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Fokusi i strategjisë, sipas Gogut, duhet të jetë te cilësia e arsyetimit të vendimeve gjyqësore, përdorimi real i alternativave ndaj paraburgimit dhe rritja e transparencës së sistemit.
Konsultimi publik për projektndryshimet do të qëndrojë i hapur deri më 28 tetor. Ministri u bëri thirrje gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, akademikëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile që të japin kontributin e tyre gjatë kësaj faze.
Gogu: Të ndiqet krimi pa cenuar prezumimin e pafajësisë
Duke folur për ekuilibrin mes nevojës për të luftuar kriminalitetin dhe garantimit të të drejtave individuale, Gogu tha se sfida kryesore e shtetit të së drejtës është ruajtja e të dyja këtyre parimeve.
“Sfida e shtetit të së drejtës është t’u dalë për zot të dyjave. Të ndjekë krimin pa i hyrë në hak prezumimit të pafajësisë. Të mbrojë shoqërinë pa e trajtuar akuzën si dënim”, theksoi ministri.
Ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale tashmë janë futur në fazën e konsultimit, ku institucionet dhe grupet e interesit pritet të paraqesin vërejtjet dhe propozimet e tyre përpara vijimit të procesit ligjvënës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



