Presidenti Donald Trump “tërbohet” keq nga të pasmet e Nicki Minaj
Drejtori i komunikimit e propozon për zëdhënëse të Shtëpisë së Bardhë
Presidenti amerikan Donald Trump tërhoqi vëmendjen gjatë një tubimi politik në Michigan, ku krahas mesazheve për zgjedhjet e mesmandatit, bëri edhe një koment të papritur për reperen Nicki Minaj, e cila ishte e pranishme për të shprehur mbështetjen e saj për të dhe kandidatët republikanë.
Gjatë aktivitetit të së dielës, më 25 tetor, në Port Huron, Trump ndërpreu fjalën për të komentuar pamjen fizike të artistes, duke shkaktuar reagime mes të pranishmëve.
“Meqë ra fjala, sapo pashë një palë të pasme vërtet të bukura: Nicki Minaj. Është e vështirë të mos i vësh re”, deklaroi presidenti amerikan, përpara se t’i kërkonte reperes të ngrihej në këmbë.
Minaj iu përgjigj thirrjes duke u ngritur dhe përshëndetur publikun. Pas komentit, Trump u përpoq ta zbusë situatën, duke thënë se shpresonte që artistja të mos ishte ndier e fyer dhe duke shtuar se ajo kishte qenë prej kohësh në krah të tij.

Momenti u komentua gjerësisht në rrjetet sociale, duke marrë vëmendje përtej mesazheve politike të aktivitetit.
Nicki Minaj shpreh mbështetje të fortë për Trumpin
Pjesëmarrja e reperes në Michigan ishte pjesë e angazhimit të saj publik në mbështetje të presidentit dhe kandidatëve republikanë për zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara.

Minaj udhëtoi drejt aktivitetit me avionin presidencial Air Force One dhe, gjatë fjalës së saj, shprehu hapur simpatinë për Trumpin, duke iu bashkuar turmës në thirrjet: “Ne e duam Trump-in!”.
Ajo u bëri thirrje të pranishmëve të mbështesnin kandidatët republikanë dhe deklaroi se do të vazhdonte të qëndronte përkrah presidentit amerikan.
“President Trump, është nder të jem pranë jush çdo herë dhe do të vazhdoj t’ju mbështes përgjithmonë. Nëse kandidoni sërish, do t’ju mbështes përsëri”, u shpreh reperja.
Nga ana e tij, Trump e vlerësoi artisten, duke e cilësuar si një person të veçantë dhe të zgjuar, ndërsa komentoi pozitivisht edhe pamjen e saj.
Steven Cheung bën batutën për një post në Shtëpinë e Bardhë
Por vëmendja ndaj Nicki Minaj nuk përfundoi me deklaratat e Trumpit. Steven Cheung, drejtori i komunikimit të Shtëpisë së Bardhë, publikoi një video nga udhëtimi me avionin presidencial, ku zhvilloi një bisedë me reperen për ekonominë amerikane dhe drejtimin e vendit nga presidenti.
Gjatë bisedës, Minaj foli me superlativa për Trumpin, duke vlerësuar përvojën e tij në biznes dhe qëndrimet e tij në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ajo shprehu gjithashtu mbështetje për angazhimin e presidentit në favor të kandidatëve republikanë.
Ishte mbishkrimi i Cheung që i dha videos një tjetër dimension dhe nxiti reagime në internet.
“Zonja dhe zotërinj, mendoj se mund ta kemi gjetur sekretaren e re të shtypit të Shtëpisë së Bardhë!”, shkroi ai.
Sugjerimi ishte një batutë dhe nuk përbënte njoftim zyrtar për ndonjë emërim të mundshëm të reperes në administratën amerikane. Megjithatë, postimi u përhap në rrjetet sociale, ndërsa edhe llogaria zyrtare e Shtëpisë së Bardhë reagoi me një emoji sysh.
Vetë Nicki Minaj e rishpërndau videon, duke shtuar një flamur amerikan dhe një emoji me buzëqeshje.
Kështu, një tubim i përqendruar te politika amerikane u kthye në një episod të komentuar edhe për shkak të batutave, komplimenteve dhe mundësisë së imagjinuar që reperja të merrte një rol në komunikimin e Shtëpisë së Bardhë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



