Kush ndërton perandorinë e basteve ilegale në Shqipëri?
Zbardhen emrat që dalin në prapaskenën e basteve ilegale
Nga Arlind Bruçi dhe Emir Shefiti në Maqedoni, te Ilir Dokle me “Trinisoft” dhe Allkoçi e Kolgeci me “BIT”
Tregu i basteve ilegale në Shqipëri nuk funksionon vetëm përmes personave që mbledhin paratë apo ambienteve ku vendosen bastet. Pas këtij aktiviteti qëndron edhe një mekanizëm teknologjik, pa të cilin platformat online nuk do të mund të operonin. Programuesit, zhvilluesit e softuerëve dhe kompanitë që mirëmbajnë këto sisteme përbëjnë hallkën që mundëson administrimin e platformave, përpunimin e të dhënave dhe qarkullimin e aktivitetit në internet.
Në këtë prapaskenë përmendet emri i Arlind Bruçit, i cili konsiderohet si një prej figurave kryesore në zhvillimin e infrastrukturës teknologjike të basteve ilegale. Sipas pretendimeve që lidhen me këtë sektor, Bruçi është i përfshirë në drejtimin e këtij aktiviteti dhe aktualisht ndodhet në Maqedoninë e Veriut, ku së bashku me partnerin e tij, Emir Shefiti, dyshohet se vijon të menaxhojë këtë biznes.
Por emri i Bruçit nuk është i vetmi që del në këtë rrjet. Në të njëjtën panoramë përmendet Ilir Dokle, i lidhur me kompaninë “Trinisoft”, si dhe dyshja Alban Allkoçi dhe Ardit Kolgeci, të cilët lidhen me kompaninë “BIT”. Këta emra përmenden si pjesë e strukturës që ka ndërtuar dhe administruar sisteme kompjuterike për tregun e basteve, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si këto platforma kanë vijuar të funksionojnë edhe jashtë sistemit të licencuar.
Roli i këtyre kompanive është thelbësor për të kuptuar se si mbijeton tregu informal. Ndërsa në terren kontrollet përqendrohen te pikat ku vendosen bastet dhe te ambientet që përdoren për këtë aktivitet, infrastruktura që mundëson funksionimin e platformave mbetet një tjetër drejtim ku kërkohet vëmendje.
Ligji i njihte kompanitë e softuerëve, por ku janë kontrollet?
Një prej pikave më të forta të kësaj çështjeje lidhet me legjislacionin që ka qenë në fuqi përpara mbylljes së pikave fizike të basteve në vitin 2018. Ligji nr. 155/2015 “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë” parashikonte rregulla edhe për shoqëritë që zhvillonin programe kompjuterike për këtë sektor, duke i vendosur ato nën kërkesat e licencimit dhe certifikimit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit dhe strukturat përkatëse të Ministrisë së Financave.
Kuadri ligjor përcaktonte gjithashtu se operatorët e licencuar duhej të përdornin sisteme të miratuara zyrtarisht. Pra, aktiviteti nuk kufizohej vetëm te kompanitë që organizonin lojërat, por përfshinte edhe subjektet që ndërtonin dhe ofronin teknologjinë mbi të cilën mbështetej ky biznes.
Këtu lind një nga pyetjet më të rëndësishme: nëse këto kompani dhe sistemet e tyre kanë qenë pjesë e tregut të rregulluar, çfarë të dhënash kanë administruar institucionet për to dhe çfarë verifikimesh janë kryer pas mbylljes së pikave fizike?
Dokumentacioni i licencimit, kontratat, të dhënat teknike dhe gjurmët e sistemeve mund të shërbenin si pikënisje për të identifikuar se kush i administronte platformat, kujt i përkisnin ato dhe nëse vazhduan të përdoreshin për aktivitet të paligjshëm.
Serverët dhe gjurmët dixhitale, hallka që mund të çojë te përgjegjësit
Për të zbardhur funksionimin e një platforme bastesh nuk mjafton të identifikohen personat që gjenden në ambientet ku ushtrohet aktiviteti. Hetimi duhet të shkojë edhe te serverët, regjistrat elektronikë të përdorimit, të dhënat e transaksioneve dhe pronësia e sistemeve kompjuterike.
Analiza e këtyre elementeve, përfshirë kodet burimore dhe vlerat hash të skedarëve, mund të ndihmojë në përcaktimin e origjinës së një programi dhe nëse ai është ndryshuar apo përdorur në platforma të tjera. Po kështu, gjurmët teknike mund të ndihmojnë në identifikimin e lidhjeve mes kompanive që ofrojnë softuerët dhe operatorëve që i përdorin ato.
Pikërisht për këtë arsye, emrat e Arlind Bruçit, Ilir Dokles, Alban Allkoçit dhe Ardit Kolgecit, si dhe kompanitë “Trinisoft” dhe “BIT”, përbëjnë një drejtim që kërkon verifikim të plotë. Nëse këto struktura kanë pasur rol në ndërtimin e infrastrukturës së basteve, atëherë hetimi duhet të sqarojë edhe vazhdimësinë e aktivitetit të tyre pas ndryshimeve ligjore të vitit 2018.
Pse goditen pikat e basteve, ndërsa infrastruktura mbetet në hije?
Prej vitesh, aksionet kundër basteve ilegale janë përqendruar kryesisht te ambientet fizike, sallat e bilardove dhe strukturat që shërbejnë si pika për vendosjen e basteve. Por goditja e këtyre hallkave nuk e zhbën domosdoshmërisht rrjetin që qëndron pas tyre. Për sa kohë platformat, programet dhe infrastruktura teknologjike vijojnë të jenë funksionale, aktiviteti mund të zhvendoset lehtësisht në ambiente të tjera.
Në këtë panoramë, përgjegjësia nuk mund të kufizohet vetëm te Policia e Shtetit. Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, Ministria e Financave dhe AKEP duhet të sqarojnë se çfarë kanë bërë për identifikimin dhe kontrollin e kompanive që ofrojnë teknologjinë e këtij sektori.
Pyetja që mbetet pa përgjigje është se si një treg që duhej të ishte nën mbikëqyrjen e shtetit ka arritur të krijojë një infrastrukturë të tillë informale dhe nëse institucionet kanë ndjekur deri në fund gjurmët që mund të çojnë te personat dhe kompanitë që e mundësojnë atë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



