Paralajmërimi i fortë: “Ferri” i SKY ECC do të hapet për Vuçiçin
Dosjet e komunikimeve të koduara SKY ECC pritet të rikthehen në qendër të vëmendjes në Serbi. Sociologu dhe profesori i shkencave politike, Jovo Bakić, ka deklaruar se këto materiale duhet të rihapen dhe të hetohen në mënyrë të plotë, duke paralajmëruar se përgjegjësia duhet të shkojë deri te nivelet më të larta të pushtetit.
Në një reagim të publikuar nga gazetari Basir Çollaku, Bakić shprehet se hetimet duhet të kryhen nga një ekip policor i përkushtuar dhe me integritet, në varësi funksionale të Prokurorisë së Posaçme për Krimin e Organizuar.
“Dosjet SKY ECC do të rihapen dhe do të rianalizohen të gjitha. Hetuesit më të mirë e më të integritet të policisë serbe do të jenë një ekip i dedikuar në varësinë funksionale të Prokurorisë së Posaçme për Krimin e Organizuar”, citohet të ketë deklaruar ai.
Bakić përmend në mënyrë të veçantë edhe dosjen e njohur si “Oskari”, për të cilën kërkon hetim dhe publikim të plotë të materialeve.
Sipas tij, kjo dosje duhet të bëhet publike në tërësi, në mënyrë që qytetarët dhe zgjedhësit e Partisë Progresive Serbe të kenë mundësi të shohin se kush e ka drejtuar Serbinë gjatë 12 viteve të fundit dhe për çfarë qëllimesh.
“Dosja SKY e ‘Oskarit’, domethënë Aleksandër Vuçiçit, do të jetë prioritet dhe do të botohet integralisht që publiku, përfshirë dhe zgjedhësit e partisë së tij, ta lexojnë me sytë e tyre se kush e ka drejtuar Serbinë për 12 vjet dhe me kë dhe për ç’qëllime”, thuhet në deklaratën e tij.
Jovo Bakić është profesor i sociologjisë politike dhe është përfshirë edhe në politikën serbe. Ai është zgjedhur deputet nga Lista Studentore dhe ka qenë kandidat për postin e ministrit të Brendshëm të Serbisë.
Deklarata e tij rikthen në vëmendje çështjen e përdorimit të komunikimeve të koduara SKY ECC në hetimet për krimin e organizuar dhe pretendimet për lidhje të mundshme mes personave të përfshirë në këto dosje dhe qarqeve politike në Serbi.
Reagimi i Bakić ngre gjithashtu pikëpyetje për mënyrën se si janë trajtuar këto materiale deri më tani dhe nëse hetimet e ardhshme do të përfshijnë edhe figura të nivelit të lartë të pushtetit serb.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




