Protestat/ Studentët shkojnë te Ministrisë së Arsimit, PD te Kryeministria
Mbi 2 mijë policë në terren
Tirana është përfshirë këtë të shtunë nga dy tubime paralele, ndërsa tensioni politik dhe social në vend vijon të jetë i lartë. Studentët kanë nisur grumbullimin para Ministrisë së Arsimit, ndërsa Partia Demokratike ka thirrur mbështetësit e saj në protestën kombëtare përpara godinës së Kryeministrisë.
Të dyja protestat janë paralajmëruar të nisin në orën 12:00, duke e kthyer kryeqytetin në qendrën e një tjetër dite të përballjes mes protestuesve dhe institucioneve qeveritare.
Protesta studentore vijon në ditën e saj të 19-të, me kërkesat për përgjegjësi dhe ndryshime në sistemin arsimor, ndërsa mbështetja e opozitës i ka dhënë revoltës një dimension edhe më të gjerë politik.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka konfirmuar se opozita do të vijojë të qëndrojë në krah të studentëve. Gjatë deklaratave të tij, ai ka mbështetur edhe veprimet e dhunshme të shënuara në protestat e mëparshme në kryeqytet, duke shtuar polemikat rreth qëndrimit të opozitës ndaj zhvillimeve në rrugë.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka përsëritur thirrjet për dialog. Në një publikim në rrjetet sociale gjatë mëngjesit të sotëm, ai ka shpërndarë një video të tryezës prej guri të vendosur përpara Kryeministrisë, mbi të cilën janë vendosur fletë me mbishkrimin “Dialog”.
Megjithatë, përplasja mes palëve vijon, ndërsa mbetet për t’u parë nëse tubimet e sotme do të sjellin zhvillime të reja apo do të thellojnë më tej krizën politike dhe sociale.
Mbi 2 mijë efektivë në terren, angazhohen FNSH dhe Shqiponja
Për shkak të dy protestave të paralajmëruara, Policia e Shtetit ka vendosur një plan të zgjeruar masash sigurie. Mbi 2 mijë efektivë janë angazhuar në terren për menaxhimin e situatës dhe parandalimin e incidenteve të mundshme.
Në gatishmëri janë vënë struktura të ndryshme policore, përfshirë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), njësinë Shqiponja dhe efektivë nga komisariatet e Tiranës. Operacionit i janë bashkuar gjithashtu agjentë civilë, ndërsa monitorimi do të kryhet edhe përmes dronëve dhe kamerave të sigurisë me rezolucion të lartë.
Prani e shtuar policore është konstatuar në zonën përreth Kryeministrisë, ku janë pozicionuar edhe autobotët me ujë me presion. Ndërkohë, efektivët e forcave speciale janë pajisur me mjetet përkatëse për ndërhyrje në rast të përshkallëzimit të situatës.
Një tjetër element që e shoqëron protestën e sotme është akti i ri normativ për tubimet, i cili parashikon kompetenca shtesë për Policinë e Shtetit dhe sanksione administrative për shkeljet e konstatuara.
Sipas parashikimeve të këtij akti, masat financiare variojnë nga 10 mijë deri në 500 mijë lekë, në varësi të shkeljes. Në kategoritë e parashikuara përfshihen edhe moszbatimi i urdhrit për shpërndarjen e tubimit dhe mbulimi i fytyrës gjatë protestave.
Tubimi i sotëm përbën protestën e dytë kombëtare të organizuar nga Partia Demokratike që prej nisjes së revoltës studentore. Dy protestat paralele zhvillohen në një klimë të tensionuar, me vëmendjen e vendosur te qëndrimi i policisë, reagimi i protestuesve dhe mesazhet politike që do të përcillen nga sheshi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



