Studentët “zbythën” deputetët e PD-së, Berisha drejton gishtin nga Arlind Qori
“Rama dështoi të përçante protestën me ‘qorrët’ e tij”
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas protestës së zhvilluar këtë të shtunë në Tiranë, ku studentët kundërshtuan praninë e deputetëve demokratë dhe kërkuan largimin e tyre nga tubimi. Përmes një deklarate, Berisha përgëzoi studentët dhe gjimnazistët për qëndresën e tyre, ndërsa nuk i kurseu sulmet ndaj kreut të Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, të cilin e përmendi drejtpërdrejt në reagimin e tij.
Berisha vlerësoi pjesëmarrjen e të rinjve dhe qëndrimin e tyre përballë ndërhyrjes së Policisë, duke përsëritur kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie kujdestare, që sipas tij do të mundësonte zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Në deklaratën e tij, kreu i PD-së u shpreh:
“Trimëria, vendosmëria e studentëve të revoltuar dhe gjimnazistëve mposhti në të gjitha rastet sulmet e egra të narkobanditëve, që u përpoqën të shtypin me dhunë protestën. Ndaj dhe unë kam një mirënjohje të pakufishme për të gjithë gjimnazistët dhe studentët, që me guximin dhe vendosmërinë e tyre arritën sot të jenë de facto zotërit e vërtetë të Tiranës.
I treguan sot regjimit se dorëheqja e Edi Ramës është kushti i të gjitha kushteve për një kapitull të ri në paqen sociale të vendit, për krijimin e një qeverie kujdestare, në mënyrë që shqiptarët të shkojnë në zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në këtë kuadër, ftoj çdo qytetar të këtij vendi dhe forcat politike të bashkohen në mbështetje të revoltës studentore, në mbështetje të kësaj revolte me qëllimin e largimit të padrinos dhe rikthimin e votës së lirë të shqiptarëve”.
“Qorrët” e Qorit dhe akuza për përçarje të protestës
Pjesa më e ashpër e reagimit të Berishës lidhej me largimin e deputetëve demokratë nga protesta. Kryedemokrati pretendoi se pas kësaj situate qëndronte një përpjekje e kryeministrit Rama për të përçarë tubimin, duke drejtuar gishtin nga aktivistët e Arlind Qorit.
Në deklaratën e tij, Berisha përdori edhe etiketime fyese ndaj tyre, duke i cilësuar si “Jago të revoltës studentore”.
“Sot dështoi në mënyrën më të turpshme përpjekja e Ramës për të përçarë protestën në mënyrën më të neveritshme. Ata si puna e ‘qorrit’ të tij, që deklarojnë se protestojnë për të përmirësuar Ramën, ata janë Jago të revoltës studentore. Studentët e revoltuar, gjimnazistët, ia kanë prerë biletën Edi Ramës, nuk besojnë kurrë se ai mund të përmirësohet”, u shpreh Berisha.
Ai pretendoi gjithashtu se në këtë përpjekje ishin përfshirë edhe persona të angazhuar nga Policia, duke shtuar:
“Në këtë përpjekje pati edhe mjeranë të angazhuar nga Policia, por morën përgjigjen e merituar”.
Përplasja e së shtunës nxori në pah qëndrimet e ndryshme mes grupeve politike dhe aktivistëve që janë përfshirë në protestën studentore. Të rinjtë kundërshtuan praninë e përfaqësuesve të PD-së, duke kërkuar që tubimi të ruajë karakterin e tij studentor dhe të mos kthehet në një aktivitet të partive politike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



