E diel, 1 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Aksident i rëndë në Librazhd, “Benz”-i përfundon në greminë 150 metra
Lajme

Aksident i rëndë në Librazhd, “Benz”-i përfundon në greminë 150 metra

Një aksident i rëndë është regjistruar në fshatin Farret, në Njësinë Administrative Stravaj, në bashkinë e Prrenjasit, ku një automjet tip “Benz” ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një greminë, rreth 150 metra larg aksit rrugor.

Në timonin e automjetit me targa AB178DV ndodhej Renis Pajtim Kalnxhi, i lindur në vitin 2004. I riu ka mbetur i dëmtuar dhe është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Librazhdit, ku ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Sipas informacioneve paraprake, gjendja e tij shëndetësore është e stabilizuar dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Nga këqyrja fillestare e vendit të ngjarjes nuk janë evidentuar persona të tjerë që mund të kenë udhëtuar në automjet në momentin kur ai doli nga rruga.

Megjithatë, ajo që e bën edhe më të pazakontë këtë aksident është gjetja e një arme zjarri, konkretisht një pistolete, në afërsi të automjetit të shkatërruar.

Sipas të dhënave paraprake, ekziston dyshimi se drejtuesi i mjetit mund të jetë përfshirë në një konflikt përpara aksidentit dhe të jetë dëmtuar gjatë tij. Kjo pistë po verifikohet nga autoritetet, ndërsa ende nuk ka një version përfundimtar mbi rrethanat që çuan në daljen e automjetit nga rruga.

Grupi hetimor po punon për të rindërtuar dinamikën e plotë të ngjarjes, për të përcaktuar nëse aksidenti ka ardhur si pasojë e humbjes së kontrollit mbi automjetin apo lidhet me konfliktin e dyshuar.

Një vëmendje e veçantë në hetime pritet t’i kushtohet edhe armës së zjarrit të gjetur pranë makinës, me qëllim përcaktimin e pronësisë së saj dhe rrethanave se si ka përfunduar në vendin e ngjarjes.

Hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje po kryhen nga Komisariati i Policisë Librazhd.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.