E diel, 1 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“Gjejë pak minuta nga koha juaj e ngarkuar”, publikohet një letër tjetër e Arlinda Zekajt
Lajme

“Gjejë pak minuta nga koha juaj e ngarkuar”, publikohet një letër tjetër e Arlinda Zekajt

Një javë pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë, është bërë publike një letër që 49-vjeçarja i kishte drejtuar gjyqtarit Migjen Kastrati më 7 shtator 2026. Në rreshtat e saj, ajo shprehte frikën për jetën e saj dhe të fëmijës, ndërsa kërkonte që gjykata të ndërhynte sa më shpejt për garantimin e mbrojtjes dhe zgjidhjen e çështjes së kujdestarisë.

Dokumenti është publikuar këtë të diel nga Natyra Kuçi dhe nxjerr në pah shqetësimin që Zekaj kishte përcjellë te institucionet për rrezikun me të cilin pretendonte se po përballej.

Mesazhi më i fortë i letrës është fjalia me të cilën ajo i kërkonte gjyqtarit të mos e trajtonte çështjen e saj si një dosje të zakonshme, por si një situatë që kërkonte ndërhyrje të menjëhershme.

“Për ju është rutinë, për mua është jetë”.

Në letrën e shkruar më 7 shtator, 49-vjeçarja përshkruante frikën për sigurinë personale dhe atë të fëmijës, për vendndodhjen e të cilit thoshte se nuk kishte dijeni.

“Shkruaj si një grua që tani po ndihem e rrezikuar për jetën e vet, ashtu dhe për jetën e fëmiut që nuk e di ku e kam”, shkruante ajo.

Zekaj i kërkonte gjyqtarit Migjen Kastrati të gjente kohë për të shqyrtuar kërkesën e saj dhe për të vendosur mbi urdhrin e mbrojtjes, si dhe për rikthimin e fëmijës në kujdestarinë e saj.

“Lutem shumë gjejë pak minuta nga koha juaj e ngarkuar, për të caktuar urdhrin mbrojtës dhe caktimin e fëmijës në ‘kujdestarinë’ e në shtëpinë ku kam dhënë gjithçka që kam pas”, thuhej në dokument.

Në përfundim të letrës, ajo i drejtohej sërish gjyqtarit me një apel që sot, pas vrasjes së saj, merr një domethënie edhe më të rëndë:

“Për ju është rutinë, për mua është jetë dhe veç Zoti e di pse ty të ka zgjedhë të shpëtosh jetë”.

Urdhrat e mbrojtjes nuk u zbatuan në kohë, pezullohen 13 zyrtarë

Institucionet nën akuzë për vonesat

Publikimi i kësaj letre rikthen në vëmendje mënyrën se si institucionet e Kosovës trajtuan kërkesat e Arlinda Zekajt për mbrojtje nga dhuna në familje.

Sipas konstatimeve të Inspektoratit Policor të Kosovës, urdhri i mbrojtjes i datës 7 shtator nuk ishte ekzekutuar nga policia. Ndërsa urdhri i dytë, i lëshuar më 16 tetor, u zbatua vetëm më 22 tetor, pra gjashtë ditë pas nxjerrjes së tij.

Pas vrasjes së 49-vjeçares, nga detyra janë pezulluar 13 zyrtarë. Mes tyre janë kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, prokurorja e çështjes, Arlinda Nallbani Gacaferi, si dhe 11 punonjës të Policisë së Kosovës.

Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës ka nisur punën përmes një komisioni hetimor, i cili do të shqyrtojë veprimet dhe mosveprimet e institucioneve në trajtimin e rastit, me qëllim identifikimin e përgjegjësive.

U vra pak minuta pasi policia e shoqëroi në banesë

Rrethanat e vrasjes

Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. Ngjarja ndodhi pak minuta pasi ajo ishte shoqëruar nga efektivët e policisë drejt banesës ku kërkonte të rikthehej, duke u mbështetur në një vendim gjyqësor.

Për vrasjen dyshohet ish-kunati i saj, Albert Sylaj. Ndërsa ish-bashkëshorti, Jeton Sylaj, ishte ndaluar më herët për kanosje. Të dy ndodhen në paraburgim.

Rasti ka ngritur pikëpyetje të shumta mbi reagimin e institucioneve, veçanërisht për zbatimin e urdhrave të mbrojtjes dhe masat që duhej të garantonin sigurinë e 49-vjeçares.

Prishtina në protestën e pestë, kërkohet llogaridhënie për vrasjen

Protesta në Prishtinë

Ndërkohë, në Prishtinë është paralajmëruar protesta e pestë radhazi në reagim ndaj vrasjes së Arlinda Zekajt.

Tubimi organizohet këtë të diel, në orën 17:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, me kërkesën për drejtësi për viktimën dhe përgjegjësi nga institucionet që kishin për detyrë ta mbronin.

Protesta organizohet nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, i cili ka ngritur shqetësimin për mosveprimin institucional, pavarësisht kërkesave të përsëritura të Zekajt për mbrojtje.

Organizatorët kërkojnë zbardhjen e plotë të përgjegjësive, si dhe masa konkrete që raste të tilla të mos përsëriten.

Letra e 7 shtatorit tashmë është një prej dokumenteve që kanë rikthyer në qendër të debatit publik mënyrën se si u trajtua rasti i Arlinda Zekajt. Ajo kishte kërkuar ndihmë duke paralajmëruar se ndihej e rrezikuar, ndërsa hetimet dhe shqyrtimi institucional duhet të përcaktojnë se ku dështoi zinxhiri i mbrojtjes.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.