Dyshohet se furnizonte protestuesit me molotovë e fishekzjarre, arrestohet 29-vjeçarja
🇬🇧 Read in EnglishNjë sasi e konsiderueshme koktejsh molotov, fishekzjarrësh dhe sendesh të tjera është sekuestruar nga Policia e Tiranës, në kuadër të një operacioni të zhvilluar pas protestës së 28 Nëntorit.
Në pranga ka përfunduar një 29-vjeçare me inicialet F. P., ndërsa dy persona të tjerë, 28 dhe 39 vjeç, janë shpallur në kërkim. Ata dyshohen se siguronin dhe shpërndanin materiale të kundërligjshme, të cilat do t’u viheshin në dispozicion pjesëmarrësve në protestën kundër qeverisë.
Operacioni policor u kodua “Distribution of Elements” dhe u zhvillua nga strukturat për Hetimin e Krimeve të Rënda në Policinë e Tiranës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit.
29-vjeçarja u lokalizua në rrugën “Qemal Stafa”, teksa udhëtonte me një automjet tip “Fiat”. Gjatë kontrollit të makinës, efektivët zbuluan një sasi të madhe sendesh që u sekuestruan si prova materiale.
Çfarë u gjet në automjet?
Sipas njoftimit të policisë, në automjet u gjetën dhe u sekuestruan:
- 91 koktej molotov;
- 166 fishekzjarrë;
- 59 tuba metalikë;
- 17 kapsolla;
- 2 maska kundragaz;
- Veshje të ndryshme, doreza, maska dhe kapele;
- 2 aparate celularë dhe sende të tjera.
Nga hetimet paraprake dyshohet se 29-vjeçarja vepronte në bashkëpunim me dy shtetasit e shpallur në kërkim, me inicialet I. M., 28 vjeç, dhe R. S., 39 vjeç.
Sipas dyshimeve të hetuesve, materialet siguroheshin dhe shpërndaheshin me qëllim përdorimin e tyre në akte të dhunshme ndaj punonjësve të policisë dhe institucioneve shtetërore gjatë protestës së 28 Nëntorit.
Policia bën me dije se vijon puna për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim, identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë dhe përcaktimin e përgjegjësisë penale të secilit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



