VIDEO/ Nis takimi informal i liderëve të Ballkanit në Durrës, Rama pret homologët
Kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë nisur takimin në vilat qeveritare në Durrës.
Në takim po marrin pjesë edhe Komisioneri për Politikat Europiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn dhe në fokus të diskutimeve do të jetë rritja e zbatimit të angazhimeve të marra në Samitin e Triestes në korrik 2017.
Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor do të diskutojnë mbi integrimin ekonomik të vendeve të rajonit dhe mbi projektin e nisur tashmë për krijimin e një zone ekonomike të rajonit.
Zona Ekonomike Rajonale e vendosur në Samitin e Triestes synon të sigurojë mundësi të reja si për bizneset, ashtu dhe për qytetarët, si dhe do të forcojë zhvillimin dhe vendet e punës.
TAKIMET
Sipas axhendës së përcaktuar të takimit të kryeministrave, që do të mbahet sot në orën 10:00 në Durrës, fillimisht delegacionet e vendeve pjesëmarrëse do të mblidhen në orën 09:40, do të zhvillojnë një foto të përbashkët dhe më pas do të nisin punët për diskutimin e zbatimit dhe fuqizimit të Zonës Ekonomike Rajonale dhe një vizioni të përbashkët mbi Strategjinë e Integrimit Europian. Gjithashtu, udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të diskutojnë edhe për fillimin e negociatave për marrëveshjet e njohjes reciproke të kualifikimeve akademike dhe profesionale.
Në 12:15 kryeministrat e vendeve ballkanike do të mbajnë një konferencë për shtyp. Gjatë konferencës pritet të mbajë një fjalë kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama dhe Komisioneri për Politikat Europiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



