E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Akuzat e PD për kasat fiskale, sqaron Ahmetaj: Ja çfarë parashikon VKM-ja!
Politikë

Akuzat e PD për kasat fiskale, sqaron Ahmetaj: Ja çfarë parashikon VKM-ja!

Ministri i Financave Arben Ahmetaj ka reaguar pas deklaratës së deputetit të PD-së Endri Hasa që deklaroi se ekziston një Vendim i Këshillit të Ministrave që praktikisht skualifikon kasat fiskale ekzistuese duke rritur koston për biznesin me 600-1 000 euro.

“Për qytetarët që meritojnë të sqarohen, Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 651, datë 31.10.2018, nuk ka të bëjë aspak me kasat fiskale të bizneseve, por lidhet vetëm me sistemet fiskale për kontrollin e sasive në shoqëritë e hidrokarbureve dhe të shitjes së tyre me pakicë.

Së pari, ka një ndryshim thelbësor mes “sistemeve fiskale” dhe “kasave fiskale” dhe së dyti, efekti i kësaj VKM-je shtrihet vetëm mbi rreth 3 mijë sisteme fiskale të lidhura me sektorin hidrokarbur dhe aspak mbi rreth 145 mijë kasa apo pajisje fiskale që përdoren nga bizneset e tjerë në Republikën e Shqipërisë.

Ky standard i ri që aplikohet për shoqëritë e hidrokarbureve, është një hap më tej për forcimin e kontrollit dhe të monitorimit të këtij sektori të rëndësishëm duke mbyllur hapësirat potenciale për evazion.

Monitorimi i depozitave të tregtuesve me shumicë do të behët në mënyrë automatike duke raportuar sasinë e karburantit periodikisht si dhe duke rakorduar hyrje-daljet në të . Po kështu mundësohet monitorimi i depozitave të pikave fundore të shitjes së karburantit si dhe raportimi në kohë reale i shitjeve fundore të tyre. Në këtë mënyrë, bëhet një monitorim i plotë i lëvizjeve të sasive të karburantit dhe një rakordim më i saktë i sasive të tregtuara në vend në kohë reale!

Këto ndryshime, janë një instrument i duhur në favor të administratës fiskale, për të adresuar më mirë administrimin e një sektori shumë të rëndësishëm për të ardhurat publike” ka deklaruar Ahmetaj në një postim në rrjetin social Facebook.

Më herët, deputeti i PD-së Endri Hasa deklaroi se çdo biznes duhet të bëhet gati për të nxjerrë nga xhepat nga 600 – 1000 euro si faturë për vendimin e qeverisë për sistemin e menaxhimit të faturimit të bizneseve.

“Paralajmërimi i Partisë Demokratike, që kur denoncoi për herë të parë aferën korruptive, duke deklaruar edhe fituesin e paracaktuar kroat, tani është bërë realitet.   Ministri i Korrupsionit, Arben Ahmetaj, mund të bëjë propagandë nga mëngjesi deri në darkë dhe të gënjejë paturpësisht shqiptaret se kasat fiskale nuk do të ndryshojnë, por e vërteta është se pak ditë më parë qeveria ka miratuar një vendim që, praktikisht, skualifikon kasat ekzistuese.

Aktualisht, kasat fiskale janë të programuara të transmetojnë të dhëna vetëm 1 herë në ditë, kur biznesi mbyll xhiron, por me VKM Nr. 651, qeveria ka ndryshuar karakteristikat teknike për pajisjet fiskale, duke futur si kriter shtesë – “transmetimin e çdo shitjeje në kohë reale në sistemin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve”.  Kërkesat e sistemit të ri detyrojnë çdo biznes që të heqë kasat dhe sistemet elektronike që ka sot, për të blerë pajisjet e reja që mundësojnë transmetim të çdo shitjeje në kohë reale” deklaroi deputeti i PD-së. Sipas tij, fatura për bizneset llogaritet të kushtojë nga 80-100 milionë euro.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.