E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
A do ndikojë edhe në rajon bojkotet e konsumatorëve kroatë për çmimet e larta?!
Lajme

A do ndikojë edhe në rajon bojkotet e konsumatorëve kroatë për çmimet e larta?!

 

Duke qëndruar para gazetarëve në sallën e konferencave të një hoteli në Zagreb, Josip Kelemen, drejtues i platformës qytetare “Halo, inspektore!” (Tungjatjeta inspektor), shpalli vazhdimin e bojkotit të supermarketeve në Kroaci. Konsumatorët kroatë, të zemëruar për rritjen e çmimeve, janë mobilizuar që të mos frekuentojnë dyqanet këtë të premte, ndërsa një bojkot masiv 7-ditor është paralajmëruar ndaj rrjetit të supermarketeve Konzum, i cili konsiderohet një nga përgjegjësit kryesorë për rritjen e çmimeve.

Në vetëm tri javë, këto bojkotime kanë sjellë ulje drastike në shitjet e supermarketeve kroate, me një rënie deri në 53% në ditët e bojkotit. Kjo lëvizje nisi si pasojë e inflacionit të lartë dhe çmimeve që qytetarët i konsiderojnë të padrejta, krahasuar edhe me shtetet fqinje apo vendet perëndimore. Një nga shembujt e paraqitur nga aktivistët kroatë është shpëlarësi për lavastovilje, i cili në Gjermani kushton 95 cent, ndërsa në Kroaci çmimi arrin 2.65 euro. Po ashtu, kafeja e prodhuar në Kroaci shitet më lirë në Slloveni sesa në vendin ku prodhohet.

Situata ka çuar në rritjen e presionit mbi qeverinë kroate, e cila është detyruar të ndërhyjë duke vendosur çmime tavan për 70 produkte të domosdoshme. Megjithatë, kjo masë nuk i ka kënaqur qytetarët, të cilët e konsiderojnë vendimin të pamjaftueshëm dhe shpesh në favor të tregtarëve, pasi çmimet e përcaktuara janë në disa raste më të larta se ato që ishin më parë në treg.

A ka ngjashmëri me situatën në Shqipëri?
Ngjashëm me Kroacinë, Shqipëria është përballur me rritje të fortë të çmimeve që nga viti 2022, si pasojë e krizës globale të energjisë dhe inflacionit të importuar. Çmimet e produkteve bazë, si buka, qumështi dhe vaji, janë rritur me përqindje dyshifrore. Krahasuar me Kroacinë, konsumatorët shqiptarë po ndiejnë një barrë të madhe financiare, veçanërisht për shkak të të ardhurave më të ulëta mesatare.

Në Shqipëri, nuk është organizuar ende një bojkot masiv si në Kroaci, megjithatë pakënaqësia publike është në rritje, me qytetarët që po kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet. Deri tani, qeveria ka subvencionuar pjesërisht çmimet e energjisë për familjet në nevojë, por mbikëqyrja e çmimeve të produkteve bazë mbetet një sfidë e hapur.

A do të ketë një efekt domino?


Ndërsa protestat dhe bojkotet në Kroaci janë përhapur në vendet e tjera të rajonit, përfshirë Serbinë, Bosnje-Hercegovinën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, nuk përjashtohet mundësia që një lëvizje e tillë të nisë edhe në Shqipëri.

Për qytetarët shqiptarë, bojkoti kroat mund të shërbejë si një shembull frymëzimi për të kërkuar rregullim më të drejtë të tregut dhe çmime më të përballueshme për të gjithë. Përballë këtij presioni të ri, mbetet për t’u parë nëse qeveria shqiptare do të marrë masa të ngjashme për të frenuar abuzimet me çmimet, në një përpjekje për të mbrojtur konsumatorët dhe ekonominë familjare.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.