A do të nisë procesi mësimor të hënën?
Ministrja e Arsimit, Besa Shahini tha në mbledhjen e qeverisë se dikasteri që drejton kishte dy opsione për procesin mësimor.

“Kemi dy opsione, e para të fillojë mësimi në të gjitha qarqet e pa prekura dhe të bëjmë një shtyrje të fillimit të mësimit në zonat ku keni shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.
Një opsion i dytë, është që vetëm në Durrës të mos fillojë mësimi, dhe në Qarqet Tiranë dhe Lezhë të mos fillojë në shkollat e dëmtuara, por ky nuk është një opsion i preferuar, pasi do të sillte çakordim të procesit mësimor. I takon qeverisë që të marrë një vendim në fund të kësaj mbledhjeje”, theksoi ajo.
Ministrja bëri me dije se në Durrës janë 16 shkolla të dëmtuara, ndërsa në Tiranë janë 23 shkolla. Gjithashtu, si pasojë e tërmetit 10 shkolla janë dëmtuar në Lezhë, ndërsa të njëjtin fat kanë pasur edhe tre shkolla në Elbasan.
Ministrja bëri me dije gjithashtu se Ministria kishte një plan zhvendosjeje të nxënësve nga shkollat e dëmtuara.
Edhe kryeministri Rama tha se këto ditë, mësimi në shkolla duhet të kalojë në plan të dytë, për t’i lënë vend bisedave dhe lojërave që ndihmojnë anën psikologjike të fëmijëve.
“Duhet që në këto ditë mësimi të kalojë në plan të dytë. Duhen organizuar biseda, lojëra, shëtitje të përbashkëta. Do kemi kohë të rikuperojmë orët e mësimit dhe kjo është koha për të bërë sa më shumë në këtë aspekt. Çdo klasë në zonat e prekura ka nevojë për këtë asistencë njerëzore”, tha Rama.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



