Mbrëmjen e sotme moderatori Blendi Fevziu pyeti kryedemokratin Lulzim Basha nëse është ai i gatshëm të ulet në një tryezë me kryeministrin Rama për situatën e koronavirusit.
Në fjalën e tij, Basha iu shmang një përgjigje të drejtpërdrejtë për bashkëpunim me Ramën, duke pohuar se e gjithë vëmendja duhet të jetë te përballimi i situatës aktuale.
“Mendoj që duhet të kalojmë përtej fasadës. Tani na duhen të jemi me këmbët në tokë. Duhet një plan i fortë. Duhet që mjekët të kenë pajisjet e tyre dhe të përballojnë më së miri valën e të prekurve, që fatkeqësisht do të shtohen”, tha Basha.
Më tej, ai u kërkoi dhe qytetarëve të zbatojnë rregullat për të garantuar sigurinë e tyre dhe të personave të afërt.
“Qytetarët të zbatojnë me përpikmëri rregullat e mjekëve, të OBSH. Të vetëizolohen dhe të ruajnë higjenën personale. Dhe e treta spitalet duhet të jenë gati për të përballuar fluksin”, shtoi kreu i PD Lulzim Basha.



