A krijon besim dhe siguri, drejtori i ri i Policisë së Shtetit me telefon në SPAK?
Emërimi i Ilir Prodës si drejtor i ri i Policisë së Shtetit duke marrë zyrtarosht sot detyrën, ka ngritur më shumë pikëpyetje sesa përgjigje për shqiptarët.
Gazetari Flamur Vezaj e quan si “fitues” i një “tenderi” të shpallur nga ministri pa konkurs. Sipas Vezajt, është produkt i një sistemi të njohur dhe të korruptuar, ku politika, biznesi dhe krimi i organizuar gërshetohen për të emëruar figura të tilla në poste kyçe. Më e rënda është që ky emërim vjen mes një sërë dyshimesh të fuqishme dhe skandalesh që vazhdojnë të ndjekin figurën e tij.
Kryeministri, para se të firmoste emrin e tij, thotë gazetarja Klodjana Lala, zhvilloi një takim kokë më kokë me Prodën, ku i tregoi qartë se ku nuk duhet të “shkelë”. Zonat janë tashmë të kontrolluara nga deputetë, biznesmenë dhe grupe të fuqishme kriminale.
Gazetarja thotë : ‘ kryeministri e ka pasur edhe si preferencë personale zotin Proda sepse mendoj të paktën me njërin nga të tre që kryeministri ka takuar unë kam arritur të kem kontakt.
Më la të nënkuptoja që nga mënyra se si ishte zhvilluar biseda, personi në fjalë nuk kishte marrë përsipër atë shërbimin që do duhej t’i bënte mazhorancës’.
Kjo marrëveshje e heshtur na tregon saktësisht natyrën e këtij emërimi.
A është Proda drejtori i Policisë, apo thjesht një roje që mbron interesat e fuqive të errëta që veprojnë në prapaskenë?
Burimet thonë se gjatë këtij takimi, Proda nuk ishte aspak i habitur dhe premtoi devotshmëri të plotë, ashtu siç kishte bërë më parë me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, sot i dënuar për përfshirje në trafik droge, kujton gazetari i kronikës në atë periudhë Flamur Vezaj.
Këtu fillojnë të shfaqen pikëpyetjet më të mëdha: a është Proda kryepolici që vërtet përfaqëson sigurinë publike, apo thjesht një tjetër gur në lojën e pushtetit?
Kujtojmë se gjatë periudhës së tij si shef komisariati në Tiranë, vrasja e biznesmenit të njohur Artan Santo mbeti pa autor, edhe pse ndodhi në territorin e Prodës. Një tjetër “sukses” që tregon qartë sesa “efikas” ka qenë në detyrë.
Një tjetër periudhë e errët e karrierës së tij ishte në Bulqizë, ku lidhjet e tij me “biznesmenët” e kromit ishin të qarta. Ata jo vetëm që e ndihmuan në ngritjen e tij profesionale, por duket se i ofruan edhe mbrojtje një të dyshuari për disa vrasje, i cili më vonë u ekzekutua. Këto janë vetëm disa njollat që e ndjekin karrierën e tij. Për të mos harruar edhe hetimin e dhunimit të një vajze brenda komisariatit gjatë kohës që Proda ishte shef komisariati, një çështje e mbuluar dhe e kaluar në heshtje.
Por më shqetësuese është fakti se telefoni i tij është ende në duart e SPAK për verifikim.
Akuzat që ai mund të ketë dekonspiruar hetime ndaj krimit të organizuar janë mjaft serioze për një drejtues të policisë.
A nuk duhet të ishte ky fakt i mjaftueshëm për të rishikuar këtë emërim?
Pse një komision përzgjedhës që duhet të mbrojë interesin publik dhe sigurinë e qytetarëve nuk e mori parasysh këtë fakt?
Kryeministri dhe ministri Hoxha mund të vazhdojnë të japin garanci për pastërtinë e figurës së Ilir Prodës, por publiku nuk është më naiv.
Si mund të besohet një drejtues që është i lidhur me biznesmenë të dyshimtë dhe politikanë të korruptuar, ndërsa akuzohet se ka shkelur detyrën dhe ka mbyllur sytë përballë krimit?
Kjo nuk është më një çështje besimi; është një çështje e drejtësisë dhe sigurisë së vendit. A mund t’i besohet Policisë së Shtetit kur në krye të saj është një njeri me këtë histori?
Nëse sot emërohet një drejtor policie me një të kaluar të tillë, çfarë presim për të ardhmen e sigurisë sonë?
Dhe më e rëndësishmja, kush përfiton realisht nga ky emërim? Nuk është populli shqiptar, kjo është e sigurt.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



