E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
A po i humbet Berisha mbështetësit publik?
Lajme

A po i humbet Berisha mbështetësit publik?

Nga Andi Bushati, Redon Meksi, Ibsen Elezi e të tjerë

Zgjedhjet për forumet drejtuese që po organizon “Rithemelimi” në të gjithë vendin, po nxjerrin në shesh disa plagë të vjetra të kësaj force politike (Të cilat i kanë të gjitha partitë në fakt), duke rihapur një debat të madh njësoj si në kohën kur drejtohej nga Lulzim Basha.

Kanë nisur akuzat publike për “emërime” dhe emra të paracaktuar nga qendra. Ka kontestime të shumta për kandidatët, listat e votuesve si dhe për transparencën e mënyrës se si po zgjidhen kryetarët e degëve. Nuk po flasim këtu për pjesëmarrjen, e cila sipas procesverbaleve që po qarkullojnë në rrjet lë shumë për të dëshiruar dhe nëse ato shifra janë të vërteta, vënë në dyshim “shumicën e 6 majit”.

Duket se vlaga e “fitores” në zgjedhjet e pjesshme bashkiake (në fakt mundën Bashën sepse Ramën vetëm në Shkodër), po bie me shpejtësi. Zëra publikë që e kanë përkrahur fortë Sali Berishën, kanë nisur të hedhin dyshimet e para se ky i fundit po vepron njësoj si Basha dikur brenda partisë, duke përzgjedhur dhe emëruar njerëz që i vendos ai vetë apo pjesëtarë të Komisionit të “Rithemelimit”.

Kështu rasti më flagrant ka qenë ai i zgjedhjeve, për kryetar të degës së PD në Kukës.

Kanë shpërthyer akuzat se është rikthyer Flamur Noka me mënyrat e tij “të vjetra” për të katapultuar kryetarin, kurse Berisha hesht.

Kështu kandidati Irel Elezi është tërhequr ditën e votimeve duke akuzuar për manipulim të procesit në favor të kandidatit të katapultuar nga Tirana; për lista me mbi 200 anëtarë të dyshimtë të cilët nuk përfaqësojnë PD-në e post “Rithemelimit”, etj, etj.

I fortë ka qenë edhe reagimi i Ibsen Elezit (vëlla me kandidatin e tërhequr), i cili ka bërë një luftë të gjatë kundër mënyrës se si e ka udhëhequr Partinë Demokratike, Luzim Basha.

Kujtojmë se Ibsen Elezi në kohën kur nisma e Berishës ishte ende e brishtë, ka dalë gati çdo natë në studio televizive duke u shndërruar në një aset, për lëvizjen fillestare të Berishës për të larguar Lulzim Bashën.

Por tani që Basha nuk është më në krye të partisë, Elezi, duket se ka kuptuar se “partia e re”, po funksionon njësoj si “e vjetra”.

“Ju drejtohem të gjithë anëtarëve të PD!

Duke u përballur me një fakt të turpshëm manipulativ të listave,

Grupi i Rithemelimit qendër, ose i turpit, refuzon të deklarojë origjinën e listave. Për rrjedhojë i kemi kërkuar grupit të rithemelimit të degës listat e hartuara gjatë procesit të riorganizimit.

Grupi i rithemelimit degës pohon se nuk ka lista t degës të procesit të rithemelimit. Këta duan të operojnë me listat e Endri Hasës dhe Lulzim Bashës. Dorëheqja e vëllait ishte e vetmja rrugë e mbetur”, shkroi Ibsen Elezi ditën e zgjedhjeve për kryetar të PD-së në Kukës.

Edhe një zë tjetër publik, Redon Meksi (shoqëria civile), i cili ka qenë një analist i përhershëm në “Tv Syri” duke mbrojtur “Rithemelimin” në kohën që ka pasur nevojë më shumë se kurrë, së fundmi është deklaruar i zhgënjyer madje e ka cilësuar “turp” atë që Rithemelimi po bënte (e bëri) në Kukës.

“Partia Demokratike me në krye Komisionin e Rithemelimit, po mundohet te imponoje kandidatin e saj në Kukës duke shkelur të gjitha rregullat e garës… Ky është një turp për Komision e Rithemelimit, të cilit i është mandatuar nga Kuvendi detyra për të demokratizuar Partinë Demokratike. Prandaj ftoj të gjithë miqtë e mi të PD në degën Kukës të votojnë për Irel Elezi , i cili ka luftuar për demokratizimin e PD shumë më shumë se shumica e anëtarëve të Komisionit të Rithemelimit. Votoni të vetmin që po i bën ballë një strukture që do të kapë çdo institucion në kundërshtim me rregullat demokratike. Votoni Irelin për të mirën e partisë tuaj dhe jo për të mirën e disa individëve. P.s: Ata që nuk duan votën e lirë, s`kanë se si të sjellin demokraci, përkundrazi”, shkruan ai në faqen e tij në FB.

Por nuk mbaron këtu. Edhe një nga zërat më të fuqishëm mediatik, Andi Bushati, i cili ka luftuar fortë Lulzim Bashën dhe ka mbrojtur kauzën e Sali Berishas së fundmi është shfaqur i zhgënjyer nga ky i fundit.

Në një editorial të para 2 ditëve me titull, “Akuzat ndaj Bashës që denoncojnë Berishën”, ai konstaton se Berishës “i ka mbetur ora” te  sulmet kundër Lulzim Bashës.
“Në shtator të vitit të shkuar, pasi u përjashtua nga PD-ja, Sali Berishës i lejohej gjithçka. ..Situata sot është shumë më e ndryshme nga shtatori i vitit të kaluar. Tani Basha është rrëzuar nga karrigia, atij i kanë mbetur pas vetes vetëm një grusht mbështetësish, ndaj si i tillë, ai nuk ka më asnjë përgjegjësi për fatin e PD apo të opozitës”, kritikon Bushati mënyrën se si Berisha po vazhdon betejën e tij e cila duhej të ishte për rithemelimin e PD-së.

Gjithashtu ai hedh dyshime për qëllimet e vërtetat të  Berisha tani që vazhdon po njësoj, pasi së bashku me “Foltoren” e rimorën kontrollin e Partisë Demokratike; pse duhet që demokratët ti besojnë se fenomenet e epokës Basha, nuk do të përsëriten rishtas?

Këta ishin vetëm disa nga zërat publik të cilët po shfaqen të zhgënjyer me atë që po ndodh në këtë periudhë kur Rithemelimi, por edhe ndaj tyre dhe të tjerëve në rrjet militantët kanë shpërthyer me shprehje të llojit; “E drodhe edhe ti”, “E nxorët kokën që i shërbeni Ramës”, apo deri në, “Tradhtarë”. / Alfapres.al

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.