A po ndikojnë paratë e pista?
Në Shqipëri kredia po rritet më ngadalë se ekonomia
Edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit 2023, hendeku mes kreditimit dhe rritjes ekonomike ka pësuar rritje.
Sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë, gjatë këtij tremujori, hendeku i raportit të kredisë ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) ishte -8.67 pikë përqindje nga -8.43 pikë përqindje pikë përqindje që kishte qenë në tremujorin e mëparshëm.
Këto të dhëna tregojnë qartë devijimin e vlerës së raportit të kredisë për ekonominë ndaj PBB-së nga prirja e tij afatgjatë dhe është indikatori kryesor që sinjalizon mundësinë e rritjes së tepërt të kreditimit në raport me Prodhimin Kombëtar.
Rritja e kreditimit është ende larg pragut krahasues që do të kërkonte masa frenuese, duke vendosur shtesë kundërciklike të kapitalit për sektorin bankar. Një prag i tillë do të kalohej nëse devijimi i raportit të kredisë ndaj PBB-së me mesataren afatgjatë do të ishte pozitiv me më shumë se dy pikë përqindje. Shtesa kundërciklike do të kishte si qëllim ngadalësimin e kreditimit, në rast se banka qendrore vlerëson se ai po rritet me ritme tepër të shpejta. Por, me këto ritme që tregojnë të dhënat zyrtare, Banka e Shqipërisë nuk ka aplikuar asnjë shtesë kundërciklike kapitali.
Në këto rrethana, kur niveli i kreditimit po ulet në vend, por rritja e ekonomike s’ka të ndalur, natyrshëm lind pyetja se çfarë parash po qarkullojnë në vend. Cili është burimi i këtyre parave që po ndikojnë në rritjen ekonomike dhe kush fshihet pas tyre.
Së pari, të gjithë jemi dëshmitarë se si, Tirana, Durrësi, Vlora dhe jo vetëm, çdo ditë e më shumë po pushtohen nga kulla shumëkatëshe, pallate dhe ‘investime’ vend e pa vend. Por pas këtyre kullave që “mbijnë” në çdo cep të vendit, fshihet mafia dhe paratë e tyre.
Këtë nuk e themi pa arsye, pasi raporte të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare kanë treguar se sektori i ndërtimeve, është i preferuari i mafies shqiptsare. Një fakt të tillë e ka pohuar edhe pak kohë më parë, vetë kreu i SPAK, Altin Dumani. Kur u pyet për pastrimin e parave të krimit, ai renditi disa sektorë ku krimi investon paratë, duke përmendur të parin sektorin e ndërtimit.
Në Shqipëri në përgjithësi, bazuar në hetimet e kryera nga SPAK, mund të themi se sektorët më të prekur nga pastrimi i parave janë ndërtimi, pasuritë e paluajtshme, drita. industria, lojërat e fatit dhe turizmi hotelier.
Ndërkohë që edhe rritja e qarkullimit të monedhës EURO në vend lidhet me krimin dhe pastrimin e parave që rrjedhin prej tyre. Pak kohë më parë, shoqata e eksportuesve kërkoi ndërhyrjen e ndërkombëtarëve dhe qeverisë për kursin e këmbimit valutor, pasi rënia e euros po i dëmtonte shumë.
Duke listuar arsyet që sollën rënien e euros ata përmendën edhe paratë informale apo kriminale në ekonominë shqiptare, kryesisht në pasurinë e paluajtshme dhe bizneset fitimprurëse.
Këto raste janë evidente dhe tregojnë qartë se si ekonomia po rritet falë parave të krimit dhe jo kredisë, siç ka ndodhur muaj apo vite më parë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



