A po sulmohet PD për “financime ruse” për të fshehur gjurmët e vërteta?
Pasi dëgjova këtë të shtunë, Edi Ramën, që rikthente historinë e “Mather Jones”, (e cila në fakt në të gjitha investigimet bën lidhje të treta dhe flet vetëm për dyshime dhe gjasa), për financime ruse në Partinë Demokratike dhe kërkonte ndihmë nga drejtësia këtu, nuk kisha në plan ta shkruaja këtë shkrim.
Loja malinje që po hedhin Rama dhe Berisha, për ta fokusuar gjithë strategjinë ruse të minimit të demokracive në botë dhe veçanërisht në rajonin dhe vendin tonë, te lobimi i vitit 2017 që bëri PD për një takim kortezie momental të kryetarit të saj me presidentin Trump, thjesht më shton më shumë dyshimet dhe indiciet për gjurmët e atyre vetë në karrierat e gjata politike dhe pushtetore.
Por gjithsesi duke qenë se financimet ruse tani nën kontekstin e zhvillimeve në Ukrainë janë një krye-temë jo vetëm në SHBA, Itali, Greqi, Gjermani, Francë, Suedi…por edhe në Tiranë, vendosa të “gërmoja” më shumë për mënyrat, skemat dhe bizneset që përdor Putin për këtë strategji gjigante që shkon në qindra milion dollarë.
Kështu hasa në një shkrim të një gazetari të shquar suedez me banim në Zvicër, Peter Kadhammar, i cili i kushtohet kompanisë gjigante “Gunvor Group’ me qendër në Gjenevë.
Shkrimi flet për historinë “e çuditshme” të kësaj kompanie e cila u themelua vetëm në vitin 2000 dhe brenda pak viteve, kapi një portofol prej dhjetëra miliard dollarë. Ajo u themelua nga shoku i fëmijërisë dhe portofoli real i Putin, Gennady Timchenko, si dhe suedezi Torbjörn Törnqvist.
Pas pushtimit të parë të Ukrainës, Timchenko u fut në listën e zezë të SHBA si oligarku që përfaqëson më së shumti financat e Putin dhe Kremlinit.
Në një abdetim të fundit të këtij viti, kompania pasi dënon pushtimin e e fundit të Ukrainës shkruan se që nga viti 2014, Gunvor është në pronësi të shumicës nga Kryetari dhe CEO i kompanisë, Torbjörn Törnqvist, i cili sot mban 88.4% të aksioneve.
Gunvor e hoqi të gjithë portofolin e aseteve ruse në vitin 2015, me përjashtim të një pakice aksionesh jo- kontrolluese. Pra ky është momenti që veshi “pelerinë perëndimore” dhe vetëm pak kohë më pas, futet në mënyra të ndryshme edhe në Shqipëri. Vetë CEO i Gunver është takuar disa herë me Edi Ramën dhe ky i fundit, e ka pohuar këtë.
Nuk dua të zgjatem në këtë shkrim me infiltrimin e saj në Shqipëri me një portofoli fillestar prej 13 milion eurosh në nëpërmjet “Jurimex” në pronësi të biznesmenit rus Robert Nowikovsky, e cila në verën e vitit 2016, morri nga Albpetrol leje për shfrytëzimin e disa puseve të naftës.
As historisë sabotuese të Rafinerisë së Ballshit me kompaninë tjetër të lidhur më Gunvor, “Tosk Energji”, e cila në mënyrë të njëanshme ndali furnizimin me naftë bruto dhe bëri që “Bankers” të mbyll uzinën duke shkaktuar protesta, deri në çuarje për skrap të Uzinës së Ballshit.
Por këtu një pyetje retorike mund ta bëjmë: Kujt i interesonte ai destabilizim, tension social dhe mbyllja e rafinerisë (kur e ka edhe Maqedonia e Veriut që nuk ka fare vendburime), përveç oligarkëve të hidrokarbureve të Ramës?! Kompania “Tosk Energji” ka qenë dhe ndoshta është ende shumë aktive në Shqipëri. Madje me rastin e tërmetit të nëntorit 2019 u vetë-ofrua me një donacion prej 200 mijë euro.
Gjithashtu nuk po flasim këtu për çështjen e përfshirjes në sigurinë e aeroportit të Rinasit etj, ndaj le të kthehemi te zhvillimet e fundit.
Në shkrimin e Peter Kadhammar, më bëri përshtypje një pasazh:
Në dimrin e vitit 2014, vizitova një zyrë të vogël në Kiev. Ajo i përkiste organizatës Qendra Kundër Korrupsionit. Isha atje për të intervistuar menaxheren Daria Kaleniuk për korrupsionin në Ukrainë. Në tabelën e bardhë ngjitur me derën, dikush kishte shkruar TORBJÖRN TÖRNQVIST. Ishte hera e parë që dëgjoja për të. Kishte shumë shigjeta për kompanitë dhe njerëzit.
Dhe më poshtë vazhdon me prononcimin:
Ekziston një rrezik i madh që grupi i biznesit Gunvor, mund të përdoret si një mjet për Putinin dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë.
Këtu “ngeca”; Rrjetet e financave ruse të maskuara me kompani “perëndimore”, përdorin projektet anti-korrupsion në vende me demokraci të brishtë për tu infiltruar.
Dhe kjo më ço direkt te investigimi i fundit tronditës i prestigjiozes “Bussnes Insider”, ku del emri i kryeministrit Edi Rama dhe “lobistit” Dorian Duçka. Ky i fundit në bashkëpunim me ish drejtuesin e FBI, Charles MCGongal, që po hetohet si “dora ruse”në SHBA, po tentonin të sillnin një projekt “anti-korrupsion” në Shqipëri.
“McGonigal ka lidhje me oligarkun miliarder rus, Oleg Deripaska. Ky i fundit njihet si oligarku i preferuar i Putinit. Por dy burime i thanë “Insider-it” se McGonigal ishte i afërt me kryeministrin shqiptar Edi Rama. Sipas një e-maili të rishikuar nga kompania mediatike, McGonigal përdori adresën e tij zyrtare të e-mailit të FBI-së për të tentuar të organizonte një takim mes Ramës dhe një firme amerikane. Kjo e fundit, ishte menduar për t’u kontraktuar për një nismë kundër korrupsionit”, shkruan Insider.

FBI nuk e lejoi Charles MCGongal ta dërgonte emailin kryeministrit shqiptarë nga adresat e tyre, por kjo nuk do të thotë se kompania e “nismës antikorrupsion” për të cilën ai interesohej, nuk ka përdorur rrugë të tjera.
Faktikisht në Shqipëri pak kohë më vonë në vitin 2019, u realizua vërtetë një projekt i çuditshëm anti- korrupsion, (pasi kemi një duzinë agjencish që merren me këtë punë), por e ngrinë shpejt. Kjo përkon me nisjen e hetimit në SHBA ndaj “dorës ruse” në FBI, Charles MCGongal.
Në datë datë 25.07.2019 të kryeministrit lëshoj urdhrin nr.106 ,“Për krijimin, përbërjen dhe funksionimin e Rrjetit të Koordinatorëve Antikorrupsion”.
Pak më vonë në SHBA nis hetimi, për lidhjet ruse të funksionarit të FBI që po bënte sekserin mes një kompanie që ende nuk dihet cila është dhe kryeministrit të Shqipërisë. Urdhri nr. 106 menjëherë “harrohet” dhe projekti, riaktivizohet një vit më vonë.
Rama lëshon Urdhrin e tjetër nr. 86, datë 25.06.2020, ku përcaktohet krijimi dhe funksionimi i Rrjetit të Koordinatorëve Antikorrupsion.
Atëherë këtë strukturë të re që dublonte shumë institucione të tjera e la në dorë të Arben Ahmetajt, por interesant është fakti se ky rrjet tashmë në punë, ka fuqi depërtuese në gjithë dokumentacionin e strukturave të shtetit:
Kadastër, KESH, OSHEE, OST, Albpetrol, Tatime, Dogana, Albcontrol, Qendrat Spitalore, spitale rajonale, në AKU, në agjencitë e Barnave, të Pasurive të Sekuestruara, Bregdetit, Mjedisit, Burimeve Natyrore, Zonave të Mbrojtura, Portet Detare etj!
Pyetja është: Kemi të bëjmë me të njëjtin projekt “anti-korrupsion” për të cilin po ndërhynte te Rama ish funksionari i FBI-së që po hetohet nga një Juri e madhe në SHBA, për lidhje me shërbimet sekrete ruse?!
Çështja po hetohet si “e madhe” në SHBA, por nuk do të ishte keq që SPAK ta merrte në konsideratë investigimin e “Business Insider” dhe të verifikonte çdo të dhënë që ka dalë aty.
A ka lidhje kryeministri i vendit të tyre me këtë histori, pasi tani ka kuptim edhe përgjigjja që i ka kthyer medies amerikane nëpërmjet një zëdhënësi të tij: Kryeministri i Shqipërisë me Charles MCGongal ka pasur marrëdhënies miqësore dhe jo të biznesit.
Sepse SPAK duhet ta di kaq gjë; punët e shtetit bëhen me gjurmë zyrtare (tentuan por i bllokoi FBI), kurse ato të errëtat mes “miqsh”.
Kuptim merr edhe deklarata e që lëshoi Rama këtë të shtunë:
“Po e kam pasur dhe e kam mik ish shefin e FBI-së, bëhet fjalë për një çështje që është në SHBA, nuk ka lidhje me mua, as me qeverinë shqiptare. Me këtë teori i bie që ne mos të takojmë askënd se nesër ai mund të ketë një problem me drejtësinë në vendin e tij”
Vini re: Nga nxitimi apo kushedi se përse, pranon që vazhdon që ta ketë mik edhe pse tashmë e di që një po hetohet si “i rusëve”.
Por absurditeti më i madh është se ndërkohë që i kërkon drejtësisë shqiptare të rihapë “financimet ruse” të PD, vetë e kalon topin te drejtësia amerikane!
Pra sipas kryeministrit tonë, Charles MCGongal, vetëm në SHBA është “agjent i rusëve”, kurse me kryeministrin e Shqipërisë, vend anëtar i NATO, vetëm “mik personal”.
Gjithsesi gjurmët ruse në Shqipëri janë aq të shumta, sa që nuk do mjaftonin edhe mijëra shkrime si ky e të tjerë.
Mjafton që të hapësh mendjen dhe sytë dhe mund të shohësh gjurmë shqiptare të strategjisë së kësaj lufte hibride të Putin: Korrupsioni, manipulimi dhe sabotimi i demokracisë funksionale në vend dhe nëpër parti: Kapja e votës; Sovranizmi nga Perëndimi; Fryma antiamerikane; Mbajtja me oksigjen e pro rusit Vuçiç; Mediet, rrjetet sociale, e të tjera gjurmë me shumicë.
Ndaj bëni pak kujdes me këtë vrullin e demaskimit si “agjentë rus” të Bashës dhe PD-së. Sepse sa më shumë bërtisni, aq më shumë feksin gjurmët tuaja personale!/Alfapress.al
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



