E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Adoleshentet e Fierit, kishin ngritur rrjet shantazhesh dhe gjobash
Lajme

Adoleshentet e Fierit, kishin ngritur rrjet shantazhesh dhe gjobash

Pretendime të reja për rastin e Fierit, gazetari: Vajzat dyshohet se kishin ngritur rrjet shantazhesh dhe gjobash

Rasti i dhunimit brutal të një 17-vjeçareje në Fier, që tronditi opinionin publik pas publikimit të pamjeve në media, mund të marrë një tjetër dimension hetimor. Teksa Prokuroria vijon hetimet, janë bërë publike pretendime se tre vajzat e përfshira dyshohet se kanë qenë pjesë e një skeme shantazhesh dhe gjobash.

Në emisionin “Top Story”, gazetari Eraldo Harlica deklaroi se, sipas informacioneve të siguruara prej tij, tre vajzat që shfaqen në videon e dhunimit, së bashku me të dashurit e tyre, dyshohet se kanë përdorur një skemë të organizuar për të zhvatur para nga persona të ndryshëm.

Sipas gazetarit, një nga rastet lidhet me një efektiv policie, i cili ishte kontaktuar nga vajzat dhe ishte ftuar në një hotel me pretekstin se donin të bisedonin për situatën. Harlica pretendoi se, pasi polici mbërriti në hotel, atij iu bënë foto dhe video, të cilat më pas u përdorën për ta shantazhuar dhe për t’i kërkuar para.

Gazetari shtoi se, sipas informacioneve që disponon, efektivi nuk kishte pasur marrëdhënie intime me vajzat, por ishte filmuar vetëm për faktin se kishte shkuar në hotel pas ftesës së tyre.

Harlica deklaroi gjithashtu se dyshimet nuk kufizohen vetëm në këtë episod. Sipas tij, vajzat dhe të dashurit e tyre dyshohet se përdornin të njëjtën metodë edhe ndaj personave të tjerë, duke i joshur, fotografuar ose filmuar dhe më pas duke u kërkuar para në këmbim të mos publikimit të materialeve komprometuese.

“Besoj se Prokuroria do të dalë me akuza të reja, sepse janë vërtetuar raste që këto vajza gjenin burra, i ftonin në hotele dhe pasi i fusnin në dhomë, bënin foto dhe i shantazhonin. Madje edhe në semaforë u futeshin në makina dhe bënin foto e video dhe i shantazhonin”, u shpreh gazetari Eraldo Harlica.

Deri tani, këto janë pretendime të bëra publikisht në një emision televiziv dhe nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga Prokuroria apo Policia e Shtetit. Hetimet për rastin vijojnë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.