Adriana Kalaja ngre akuza për negociata të fshehta politike
“Big Sister po mban shënime”
Aktivistja dhe juristja Adriana Kalaja ka publikuar një reagim të fortë, ku akuzon palë të ndryshme politike se po zhvillojnë “negociata intensive dhe të padeklaruara” në prag të disa vendimmarrjeve të rëndësishme institucionale.
Kalaja pretendon se, paralelisht me bisedimet brenda kampit opozitar mes figurave të njohura politike, janë hapur kanale të tjera komunikimi me një kandidat të identifikuar prej saj si “me Oksford”, ndërsa në lojë përfshihet edhe Gjykata Kushtetuese për shkak të dyshimeve për lidhje mes një kandidati dhe një anëtareje të institucionit.
Sipas saj, data e publikimit të një “liste kandidaturash” përkon me shqyrtimin e çështjes së njohur publikisht si “Bella Mafia”, më 2 dhjetor, çka sipas Kalasë ka shtuar tensionin dhe spekulimet politike.
Ajo deklaron se “në kafenetë pranë Gjykatës Kushtetuese” po diskutohen koeficientë dhe bastet për vendimet e mundshme, si edhe për mbështetjet politike që qëndrojnë pas kandidatëve.
Në reagimin e saj, Kalaja përmend një figurë politike që e etiketon si “Sude mashkull”, të cilit i atribuon disa qëndrime të mëhershme kundër Sali Berishës, përfshirë deklarata publike dhe lidhje me financime ndërkombëtare në vitin 2021. Sipas saj, i njëjti person “i dha 83 mandate regjimit në zgjedhjet e fundit” së bashku me faktorë të tjerë të cilët ajo i quan “Sude”.
Kalaja i kërkon opozitës që të sqarojë nëse ka ndryshuar qëndrimi ndaj këtyre figurave dhe nëse është distancuar nga akuzat e bëra më parë kundrejt tyre.
Duke nënvizuar se manovrat politike që ajo përmend “mund të përbëjnë minimalisht veprën penale të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm”, Kalaja paralajmëron se është e gatshme të depozitojë një kallëzim të radhës.
“Big Sister jo vetëm po ju vëzhgon, por mban gjithmonë shënime,” përfundon ajo, duke paralajmëruar se shumë shpejt do të publikojë “emrat dhe kallëzimin penal”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



