Afera e inceneratorëve/ “Shpërthen” Lefter Koka: Jam i pafajshëm!
Tek telefoni i Monikës do të gjeni ‘peshkun’e madh
Pas disa seancash të dështuara, dje u zhvillua seanca për çështjen e inceneratorit të Elbasanit, në Gjykatën e Posaçme të Apelit.

Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka kundërshtoi në Apelin e Posaçëm dënimin e tij me 6.8 vite burg nga GJKKO, për aferën e inceneratorëve. Koka është shprehur se nuk është ai “peshku i madh” dhe se nuk duhej të ishte dënuar për korrupsion.
SPAK ka relatuar në gjykatë ankimin e bërë kundër vendimit të shkallës së parë që shpalli të pafajshëm Alqi Bllakon për shpërdorim detyre. Për të njëjtën vepër, pafajësi mori edhe ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, por u dënua për korrupsion dhe pastrim parash me 5 vite e 6 muaj burg. Kërkesa e SPAK para Gjykatës së Posaçme të Apelit solli edhe reagimin e ish-ministrit i cili kërkoi pafajësi.
“Jam i pafajshëm, ju po kërkoni të më dënoni mua si “peshkun e madh”, por nuk jam unë “peshku i madh”. Unë jam biznesmen dhe nuk kam pasur nevojë të më paguajë biletat e udhëtimit Mirel Mërtiri. Avokatët e tij thanë që biletat e rezervuara janë 3 vjet më vonë se sa lidhja e kontratës. Prokurorët pse nuk marrin si referencë kontratat e tjera për landfille, si ai i Vlorës dhe Lezhës që janë më të shtrenjtë. Pse e ndatë dosjen apo që të më dënoni sa më shumë mua”, deklaroi Lefter Koka.
Ish-ministri i Mjedisit nuk i kursyeu akuzat ndaj Monika Kryemadhit duke kërkuar drejtësi. Lefter Koka u shpreh se po të hapet telefoni i Monika Kryemadhit, aty do të gjendet edhe “peshku i madh” i inceneratorëve.
“Ky është fiks kallëzimi i bërë nga Monika Kryemadhi, doni të gjeni korrupsionin, hapni telefonin e Monikës. Nuk më dënoni dot për korrupsion. Megjithëse ka kaluar një vit, konkluzionet e prokurorëve janë të njëjta. Unë e kuptoj që institucioni do të marrë kredibilitet dhe kjo gjykatë do të jetë në presion, por besoj se do të jepni drejtësi dhe do të ngriheni në nivelin e duhur të integritetit”, deklaroi z.Koka.
Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka foli në gjykatë për të paktën 20 minuta, në lidhje me këtë çështje. Ai është dënuar edhe për dosjen e inceneratorit të Fierit me 10 vite burg që për shkak të gjykimit të shkurtuar i ulet 1/3 e dënimit dhe përfundimisht u dënua me 6 vite e 8 muaj heqje lirie. Ndaj Kokës është caktuar një masë e tretë sigurimi edhe për inceneratorin e Tiranës ku dyshohet për “shpërdorim detyre”.
Lefter Koka u dënua me 10 vjet burg, i konvertuar në 6.8 vite heje lirie për shkak të gjykimit të shkurtuar për krijimin e skemave mashtruese me faturat fiktive, për inceneratorin e Fierit. SPAK akuzon Kokën për abuzim me rreth 4 mln euro. Ish-ministri sipas SPAK, përfitoi në mënyrë të parregullt shuma të ndryshme monetare, në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet krijimit të një skeme fiktive për kryerjen e punimeve në shoqërinë koncesionare.
Ai u lirua nga akuzat sa i takon djegësit të Elbasanit. Për inceneratorin e Elbasanit, SPAK kërkon në Apelin e Posaçëm ndryshimin e vendimit të shkallës së parë, që shpalli të pafajshëm për akuzën “shpërdorim detyre” ishdeputetin socialist Alqi Bllako dhe ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka. Në seancën që u zhvillua në Apel pas dështimit disa mujor, prokurorët Klodian Braho dhe Arben Kraja kërkuan që Bllako të dënohet me 4 vite burg, në përfitim të gjykimit të shkurtuar 2.8 vite burg, ndërsa për Kokën kërkon t’i shtohet edhe dënimi për “shpërdorim detyre”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



