E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Agjencia e re fut në sherr socialistët, Çuçi përplaset me Lamallarin
Lajme

Agjencia e re fut në sherr socialistët, Çuçi përplaset me Lamallarin

Një debat i fortë u zhvillua në mbledhjen e fundit të Komisionit për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, ku kryetari i komisionit, Bledi Çuçi, u përplas me ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari, lidhur me projektligjin për krijimin e një agjencie të re që do të mbikëqyrë sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale.

Debati u përqendrua kryesisht te mënyra e emërimit të drejtorit të kësaj agjencie. Ministri i Drejtësisë argumentoi se, për shkak të përgjegjësisë politike që mban për sistemin e burgjeve, ministri duhet të ketë rol në përzgjedhjen e drejtuesit të institucionit. Nga ana tjetër, Çuçi kundërshtoi argumentin se ndryshimet e propozuara do të dobësonin kontrollin e ministrit mbi agjencinë.

Në fund të diskutimit, projektligji u miratua sipas udhëzimeve të drejtuesit të komisionit, i cili e konsideroi debatin si të tejkaluar dhe të ezauruar. Agjencia e re pritet të luajë një rol të rëndësishëm në funksionimin dhe mbikëqyrjen e sistemit penitenciar në vend.

Debati në komision

Bledi Çuçi:
“E vetmja gjë që nuk është rakorduar dhe që nga këshilltarët e Kuvendit dhe komisionit më është thënë në lidhje me rakordimin është thjesht mënyra e emërimit të drejtorit të agjencisë. Të tjerat janë të gjitha të ezauruara, se u la përshtypja sikur ju nuk pranoni asnjë nga sugjerimet e variantit të konsoliduar. Pra, përveç faktit se si emërohet drejtori, për të tjerat jeni dakord ju si ministër me variantin që është rënë dakord me përfaqësuesit tuaj të Ministrisë së Drejtësisë, apo jo?”

Besfort Lamallari:
“Po deri në këtë moment që diskutuam jemi dakord, pa përfshirë pjesën e emërimit, dhe ky ka qenë qëndrimi i përfaqësuesve të ministrit në grupin e punës.”

Bledi Çuçi:
“Ju sollët si argument që bie fuqia e kontrollit të ministrit, apo e përgjegjësisë që ka ministri në lidhje me agjencinë, absolutisht nuk është e vërtetë sepse këtë fuqi ia jep ligji, dhe piramida që është ngritur padiskutim, që nga punonjësi më i ulët i nivelit të burgjeve deri tek ministri dhe nuk e jep fuqinë mënyra si emërtohet drejtuesi, por fuqinë ia jep seti i kompetencave që ka gjithsecili sipas hierarkisë në sistemin e Ministrisë së Drejtësisë. Përgjegjësinë politike që ka ministri e ushtron 100 për qind në bazë të ligjit dhe akteve ligjore dhe nënligjore që ka në dispozicion, por e vetmja gjë është që të unifikojmë të gjitha sistemet e emërtesave të agjencive të kësaj natyre në Republikën e Shqipërisë. Nuk mund të ketë drejtues institucioni që të emërohet pa patur një propozues për organin e emërtesës dhe binomi ministër-kryeministër, është binomi më i mirë dhe filtrin e drejtuesit të agjencisë e bën ministri, ai që propozon, ai është filtri i personit që do emërohet si drejtues institucioni.”

Besfort Lamallari:
“Ndërhyrja ime ishte vetëm për efekt të transparencës. Grup i punës që përfaqëson Ministrinë e Drejtësisë nuk ka shprehur dakordësi për këtë gjë, duke i qëndruar argumenteve që kanë përcjellë, duke marrë në referencë edhe ligje të tjera që janë në fuqi sot. Qëndrimi i përfaqësuesve të Ministrisë së Drejtësisë rikonfirmon qëndrimin e Këshilli i Ministrave që ka shqyrtuar më herët këtë akt, dhe i qëndron këtij versioni. Qëndrimi i qeverisë është i njëjtë si dje kur është përcjellë drafti, si sot që unë po e mbroj këtu.”

Bledi Çuçi:
“Ka agjenci të tëra që janë në emërtesë o me kryeministrin o me Këshillin e Ministrave. Por në rastin konkret ka rëndësi standardi, duhet të çojmë drejt standardit edhe ato që janë jashtë standardit, jo të zhbëjmë standardin. Por meraku që ju keni që zbehet fuqia apo kontrolli, apo përgjegjësia që ka mbi agjencinë forca e ministrit nuk qëndron.”

Besfort Lamallari:
“Nuk është ky meraku i Ministrisë së Drejtësisë. Ky është meraku i qeverisë, qeveria ka shprehur këtë standard dhe s’ka ndryshim mes dje apo sot. Kushdo që ka qenë apo do jetë ministër Drejtësisë, qeveria ka shprehur se ky duhet të jetë atribut i ministrit të Drejtësisë.”

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.