Agjjenti i Krimeve që shpërndante kokainë në zonën e ish-Bllokut
Detaje nga arrestimi i agjentit te krimeve te Komisariatit Nr.2 të Tiranës, i cili u prangos dje nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, pasi dyshohet se ishte përfshirë në një rrjet të shpërndarjes së drogës.

Burime nga Policia thanë se efektivit 27- vjeçar i është gjetur një sasi droge dhe një armë pa leje. Në momentin e ndalimit të tij u krye arrestimi edhe i 3 personave që po urdhëronin me të. Hetimet për këtë rast kishin nisur rreth tre muaj më parë dhe ka qenë Sektori i Forcave Operacionale të Policisë së Tiranës që ka dhënë sinjalizimin e parë për përfshirjen e një efektivi Policie, në shpërndarjen e kokainës në zonën e ish-Bllokut.
Ky informacion u është përcjellë menjëherë strukturave të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Tiranë, duke qenë se bëhej fjalë për një agjent krimesh. Më pas, gjatë hetimeve intensive, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës u arrit dokumentimi me prova ligjore dhe arrestimi i efektivit të Policisë e bashkëpunëtorëve të tij.
HETIMI
Ministria e Brendshme tha dje se Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, mbi bazën e të dhënave që dispononte rreth implikimit të një punonjësi Policie në veprimtari të kundërligjshme në fushën e narkotikëve, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës zhvilloi një hetim të plotë, duke aplikuar metoda speciale hetimi.
Nga hetimet për rreth 3 muaj u siguruan prova se punonjësi i Policisë, në bashkëpunim me persona të tjerë, përveç se ishin përdorues, shpërndanin edhe lëndë narkotike. Ai, duke keqpërdorur atributet që i jepte detyra, siguronte mbarëvajtjen e këtij aktiviteti të kundërligjshëm. Nisur nga rrethanat, faktet e paraqitura dhe analiza e bërë me prokurorin e çështjes, u zhvillua operacioni dhe u arrestuan në flagrancë efektivi i Policisë dhe 3 persona të tjerë, që dyshohet se bashkëpunonin me të.
ARRESTIMET
SHÇBA bëri arrestimin në flagrancë të Ledion Bakos, 27 vjeç, nga Tirana, me detyrë ndihmësspecialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr.2 Tiranë, për veprat penale të “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve”.
Gjithashtu u arrestuan edhe shtetasit: J.K., 26 vjeç, nga Tirana, financier, për veprën penale të “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve”; E. M., 35 vjeç, nga Tirana, për veprën penale të “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve”; A. K., 31 vjeç, nga Tirana, për veprën penale të “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve”.
Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një pistoletë me fishekë, disa telefona celularë, dy qese plastike, në të cilat dyshohet se kanë mbetje të lëndës narkotike kokainë, si dhe kopje kartëmonedhash të huaja. Ministria e Brendshme tha se hetimet po vijojnë edhe ndaj personave të tjerë, të cilët dyshohet se janë furnizues me lëndë narkotike të personave të arrestuar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



