E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Agropikat, “fasadat” pa impakt në sektorin bujqësor
Publik News

Agropikat, “fasadat” pa impakt në sektorin bujqësor

Prej kohësh dëgjojmë e shikojmë të paraqiten me bujë agropikat që Ministria e Bujqësisë po ngre në disa rajone të Shqipërisë. Në dukje kjo është një iniciativë interesante, madje duke parë edhe luksin brenda këtyre zyrave shija të vjen e ëmbël, por kur mendohet pak më thellë, sidomos nga ata që merren me këtë sektor, këtu nis e ndryshon gjithçka, e shija dhe më shumë, madje.

Duke shmangur nihilizmin dhe anatemimin e gjithçkaje në pak rreshta do mundohem të argumentoj se pse qeveria nuk do të mundet ta konkretizojë këtë nismë.

Së pari, duke qenë se jemi sërish në një situatë rreziku nga përmbytjet, për të tretën herë në pak muaj, në këto pika fermeri nuk do gjejë kurrfarë zgjidhje lidhur me dëmet që ka pësuar jo vetëm këtë vit, por edhe për vite të tërë në vazhdim. Qeveria duhet të mbledhë mend e kokës dhe të kuptojë se zgjidhja e vetme është aplikimi i sigurimit të produktit dhe sigurimeve të tjera me pjesëmarrjen dhe subvencionimin e primit të sigurimit. Këtë e bëjnë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Së dyti, në të gjitha rastet që kemi patur mundësi të shohim nga afër, me sy të lirë, duket qartë zbrazëtia në këto zyra, ato kanë qenë e janë “bosh”. Në rastin më të mirë, përveç stafit, mbushur e ka ministri dhe shpura e tij e servilëve partiake dhe konformistëve të administratës, që e shoqërojnë në këto raste. Mendoj se këtu kemi të bëjmë me një problem madhor, i cili lidhet me faktin se këto zyra nuk sjellin risi. AZHBR-ja (Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural) dhe Drejtoritë e Bujqësisë kanë pasur zyra edhe më parë, sigurisht jo kaq të bukura dhe pa kushte. Ku është risia këtu?!

Së treti, në këto zyra ende nuk kemi kuptuar se çfarë do të marrë fermeri ekstra, të cilën nuk e ka marrë në zyrat “e shëmtuara” të viteve të shkuara. Nëse risia është ekstensioni dhe shërbimi këshillimor, e them me bindje që edhe këtu nuk kemi të bëjmë me asgjë të re, aq më keq kur kjo strukturë amorfe dhe inefiçente vazhdon të çojë dëm taksat e shqiptarëve. Nuk ka zyrë komode apo luksoze që të ndryshojë këtë gjendje. Madje për të kaluar në një strukturë efiçente duhet një reformë e thellë, mentalitet i ri dhe inovacion teknologjik. Në fakt diskutimi mbi shërbimin këshillimor është i gjatë dhe shumë dimensional dhe është e pamundur të ezaurohet me pak rreshta.

Ajo që duket qartë është se jemi ende larg reformimit të këtij komponenti, i cili është njëherazi oksigjeni i fermerit. Shembulli më i freskët, që e vërteton më së miri këtë, është ai që lidhet me vështirësitë e hasura nga fermerët e Korçës. Ata nuk shesin dot prodhimin e tyre në kulturat e patates dhe qepës. Edhe kreu i qeverisë nuk i kurseu qortimet për zgjedhjen e gabuar të fermerëve, edhe pse këto njihen tradicionalisht si zonë e kultivimit të patates dhe qepës. Në fakt kryeministri ka të drejtë në arsyetimin e tij kundër mbjelljes së këtyre kulturave, por nuk e ka të qartë se është Shërbimi Këshillimor ai që duhet të udhëzojë fermerët në lidhje me kulturat që ata duhet të mbjellin. Pra kjo do të thotë se një tjetër strukturë në varësi të Ministrisë së Bujqësisë nuk ka bërë detyrën. Me keqardhje mund të them që këtë shërbim e bëjnë shumë më mirë ata që tregtojnë fara e fidanë, apo farmacitë bujqësore se megastruktura me mbi 270 profesionistë.

Do vazhdoja të radhisja edhe shumë argumente të tjerë si mosfunksionimi i kooperativave, efiçenca e dyshimtë e skemave mbështetëse, forma “e re” e aplikimit me 0 dokumente, numri  i madh i skemave që po ti studiosh me vëmendje janë qoka për zona deputetësh e ministrash,  si gjithmonë…

Pra jemi sërish në kuadër të një fasade perfekte, këtë radhë jo me kastravec në dorë po me zyra moderne pa impakt në hallet e bujqësisë shqiptare.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.