“Air Albania”, kompania që fluturon vetëm për Edi Ramën
Bilancet e munguara dhe flamuri i kuq në QKB
Kompania Air Albania, e krijuar në vitin 2018 me një formulë aksionesh ku përfshihen Turkish Airlines (49%), MDN Investment e Sinan Idrizit (41%) dhe ALBCONTROL (10%), prej 6 vitesh nuk ka dorëzuar pasqyrat financiare në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Në ekstraktin zyrtar të QKB-së, subjekti rezulton me flamur të kuq për mosdepozitim të bilanceve , një shkelje e ligjit nr. 9723, datë 03.05.2007, që ndëshkohet me gjobë dhe bllokon çdo veprim ligjor deri në përmbushjen e detyrimit.
Megjithatë, asnjë institucion nuk ka guxuar ta prekë kompaninë që mban flamurin shqiptar në qiell, duke e lënë të paprekur nga çdo masë administrative.
Humbje të akumuluara dhe borxhe marramendëse
Bilanci i fundit i publikuar nga Air Albania është i vitit 2018, ku raportoheshin 12.2 milionë lekë humbje neto. Pas këtij viti, çdo shifër u zhduk nga transparenca publike.
Por dokumentet e Turkish Airlines zbulojnë realitetin: deri në shtator 2023, borxhet afatshkurtra të Air Albania kapnin shifrën 33 milionë dollarë, duke u rritur me 7 milionë në vetëm një vit. Në të njëjtën kohë, kompania regjistronte humbje të tjera mbi 300 mijë dollarë.
Raportimet e pavarura flasin gjithashtu për 18 milionë euro detyrime ndaj shtetit shqiptar për tarifa aeroportuale, kufitare, doganore dhe mjedisore të papaguara. Çdo vit shënon shtim borxhesh të reja, duke e çuar kompaninë drejt buzës së falimentimit.
Avioni “Ismaili” dhe luks i paguar me borxh
Në qendër të skandalit qëndron marrëveshja e errët për avionin Airbus A319 “Ismaili”, të cilin Edi Rama ka përdorur për afro 150 udhëtime zyrtare dhe private, sipas dokumenteve të publikuara nga hakerat iranianë. Opozita ka përllogaritur se vetëm këto udhëtime kanë kushtuar mbi 20 milionë euro, me një kosto rreth 15 mijë dollarë për orë fluturimi.
Për më tepër, avioni kërkon mirëmbajtje periodike jashtë vendit, me shpenzime shtesë të kripura. Pyetja që mbetet pa përgjigje: kush i ka paguar këto fatura?
Nëse ka paguar Air Albania, atëherë kompania është shndërruar në fond privat luksi për kryeministrin.
-
Nëse ka paguar qeveria, atëherë kemi një marrëveshje të fshehtë që nuk publikohet
dhe që refuzohet sistematikisht të bëhet transparente nga Drejtoria e
Shërbimeve Qeveritare.
Dyshimi për falimentim të qëllimshëm
Mosdorëzimi i bilanceve, akumulimi i borxheve dhe përdorimi ekskluziv i avionit “Ismaili” nga Rama ngrejnë një dyshim të fortë: a po shtyhet Air Albania drejt falimentimit të qëllimshëm?
Një falimentim i tillë do të shërbente si “valvul shpëtimi” për aksionerët dhe kryeministrin: borxhet do të fshiheshin, detyrimet ndaj shtetit do të zhdukeshin dhe opinioni publik nuk do të merrte kurrë vesh se si u përdorën realisht financat e kompanisë.
Air Albania nuk është thjesht një kompani ajrore. Është pasqyra e shtetit shqiptar të kapur nga korrupsioni, ku transparenca mungon, ligji nuk zbatohet dhe interesat publike sakrifikohen për luksin e pushtetit.
Një kompani që mban flamurin kombëtar nuk dorëzon bilance, fsheh borxhe dhe përdoret si makineri private fluturimi për kryeministrin.
Heshtja e institucioneve është pjesë e kësaj skeme. Shqipëria është i vetmi vend në Europë ku një kompani kombëtare ajrore nuk raporton financat dhe nuk ndëshkohet, ndërsa pushteti i kthen asetet e saj në “taksi personale” për udhëtimet e shefit të qeverisë.
Nëse kjo nuk është prova më e qartë se shteti është i zhytur në klientelizëm dhe abuzim, atëherë çfarë duhet të ndodhë më shumë?
Air Albania është sot një avion borxhesh, që fluturon vetëm për një njeri: Edi Ramën. Dhe për ta mbajtur në ajër këtë avion, po rrëzohet çdo parim i ligjit dhe llogaridhënies në Shqipëri.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



