Aksident horror, bosi i kriptomonedhave digjet brenda Lamborghinit luksoz
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Moskë, ku biznesmeni rus i njohur në botën e kriptomonedhave, Alexei Dolgikh, 36 vjeç, ka humbur jetën pas një aksidenti fatal me automjetin e tij Lamborghini Aventador, me vlerë mbi 300 mijë paund.
Sipas raportimeve fillestare, aksidenti ndodhi gjatë orëve të natës në një nga rrugët kryesore ndërkombëtare të kryeqytetit rus. Dyshohet se makina po udhëtonte me shpejtësi të lartë, rreth 150 km/h, përpara se të përplasej me barrierat anësore, të përmbysej dhe të merrte flakë.
Nga përplasja humbën jetën në vend Dolgikh dhe një person tjetër, ndërsa dy pasagjerët e tjerë u dërguan me urgjencë në spital. Njëri prej tyre është në gjendje kritike, ndërsa tjetri ka pësuar fraktura të shumta.
Hetuesit e Prokurorisë së Moskës kanë nisur një procedim për të zbuluar shkaqet e sakta të aksidentit. Pamjet nga kamerat e sigurisë përgjatë rrugës janë sekuestruar dhe po analizohen, ndërkohë që pista kryesore e hetimit mbetet shpejtësia e tepërt dhe humbja e kontrollit mbi automjetin.
Ngjarja ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku shumë përdorues kanë ngritur shqetësime për fenomenin në rritje të makinave luksoze dhe garave të paligjshme në rrugët e Moskës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



