E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Aksidenti fatal me gurin e mermerit, arrestohet kamionisti
Lajme

Aksidenti fatal me gurin e mermerit, arrestohet kamionisti

Policia e Fierit njoftoi sot se ka arrestuar kamionistin, të cilit i rrëshkiti guri i mermerit nga karroceria mbi një makinë duke shkaktuar vdekjen tragjike të një vajze të re dhe rrezikoi jetën e gjithë pjesës tjetër të familjes së saj. Ai quhet Bashkim Pula, 41 vjeç, banues në Krujë.

Njoftimi i Policisë së Fierit:

Në aksin rrugor Lushnje-Berat, duke drejtuar mjetin kamion tip “Scania”, me targë AA 667 MP dhe targë karrocerie AD R628, ngarkuar me gurë mermeri, gjatë një manovre parakalimi me shpejtësi tej normave të lejuara, një gur mermeri ka dalë nga karroceria, ka rënë në rrugë dhe më pas në mjetin tip “Peugeot”, me targë AA 862 SF, me drejtues shtetasin M.I, 29 vjeç.

Për pasojë ka gjetur vdekjen pasagjerja, shtetasja E.I, 24 vjeçe dhe janë dëmtuar vetë drejtuesi i mjetit “Peugeot” dhe pasagjerja tjetër, shtetasja D.I, 50 vjeçe, të gjithë banues në Allias, Tiranë, të cilët ndodhen në Spitalin e Traumave Tiranë nën kujdesin e mjekëve.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje për veprën penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” parashikuar nga Neni 290 i Kodit Penal.

DETAJET/ Kush është 24-vjeçarja që u shtyp së gjalli nga guri i madh i mermerit (FOTO LAJM)

Një tragjedi ka ndodhur ditën e djeshme për një familje nga Tirana e cila ishte nisur për në Jug të vendit.

Një copë e madhe guri ka rrëshkitur nga kamioni në autostradën e Lushnjës pranë fshatit Çiflig, duke zënë poshtë automjetin, brenda të cilit udhëtonin katër anëtarë të një familjeje ku humbi jetën 24-vjeçarja Erinolda Isufaj, e cila ndodhej në vendin e parë të pasagjerit.

Gjithashtu kanë mbetur të plagosur drejtuesi i automjetit tip “Pezho”, 29-vjeçari Mariko Idrizi, i cili ishte i fejuari i saj, si dhe shtetasit Shkëlqim dhe Vitori Isufaj, prindërit e vajzës, që ndodheshin në sediljen e pasme, shkruan Panorama.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 12:45. Sipas të dhënave, mjetet ishin duke ecur, por jo me shumë shpejtësi, për shkak të motit me reshje shiu, i cili e kishte bërë rrugën të rrëshqitshme.

Mjeti i tipit kamion, me targa AA 667 MP, me drejtues shtetasin B.P., 41 vjeç, banues në Fushë-Krujë, ishte duke transportuar gurë mermeri.

Frenimi i tij i papritur ka bërë që guri të rrëshqasë, duke shpërthyer lidhjet e litarëve dhe ka rënë mbi autoveturën tip “Pezho” me targë AA 862 SF, që drejtohej nga 29- vjeçari.

Mësohet se në rrugë kishte shumë qarkullim dhe mjetet ishin afër e afër me njëri-tjetrin. Rreth 2 metra dyshohet të ketë qenë afër “Pezhoja” mbi të cilën ra guri i përmasave afërsisht 3 metra i gjatë, i papërpunuar dhe me forma të çrregullta. Guri ka rënë mbi vajzën pasagjere, e cila ka ndërruar jetë menjëherë.

“Makina thuajse është shkatërruar, aq sa shumë prej drejtuesve të mjeteve që u ndodhën pranë dhe nxituan të jepnin ndihmë, shprehën habi se si arritën të shpë- tonin tre personat e tjerë që u ndodhën në të.

Kjo ngjarje mund të kishte shkaktuar një tragjedi me më shumë jetë të humbura”, u shpreh një dëshmitar i ngjarjes. Policia mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes dhe shoqëroi për në spital të plagosurit, ndërsa këqyri edhe vendin e ngjarjes.

Edhe pse ende nuk është dhënë një variant i shkakut paraprakisht, dyshohet pakujdesia e kamionit ajo që shkaktoi aksidentin. Si pasojë, vajza e familjes Isufaj nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka humbur jetën.

I fejuari dhe prindërit e saj janë transportuar menjëherë drejt spitalit të Lushnjës ku u është dhënë ndihma e parë. Sipas bluzave të bardha, fatmirësisht asnjëri prej tyre nuk ka qenë në rrezik për jetën. Për nxjerrjen e tyre nga mjeti është dashur të ndërhyjnë edhe forcat zjarrfikëse.

Familja ishte nga Tirana dhe udhëtonte për fundjavë në Jug të vendit. Sipas të dhënave, viktima ishte e punësuar në një nga mediat në Tiranë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.