Aksidenti i rëndë në Klos, automjeti bie në përrua
Arrestohet shoferi 24-vjeçar, dyshohet se nuk ndihmoi pasagjerin dhe u largua
RENEA dhe polumbarët vijojnë kërkimet për gjetjen e trupit
Policia ka sqaruar detaje të reja mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur në Klos, në zonën e njohur si “Ura e Halilit”, ku një automjet ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në përroin e fshatit Dars.
Sipas informacioneve zyrtare, është vënë në pranga drejtuesi i mjetit, një 24-vjeçar, i cili dyshohet se ka shkaktuar aksidentin dhe më pas është larguar nga vendngjarja pa njoftuar policinë dhe pa i ardhur në ndihmë pasagjerit që ndodhej në automjet.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:30, kur një automjet tip “Audi”, me targa të huaja, ka humbur kontrollin dhe ka rënë në përroin e fshatit. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe zjarrfikësit, të cilët kanë nisur operacionin për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
Nga verifikimet e shpejta, policia ka bërë të mundur identifikimin e drejtuesit të automjetit, banues në zonën e Klosit. Hetimet kanë nxjerrë në pah se në makinë ndodhej edhe një pasagjer, një 30-vjeçar, i cili dyshohet se është marrë nga rrjedha e përroit pas aksidentit.
Gjatë veprimeve hetimore, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe arrestuar drejtuesin e mjetit, i cili rezultoi se e drejtonte automjetin në gjendje të dehur. Largimi i tij nga vendngjarja pa dhënë ndihmë ka rënduar më tej pozitën e tij ligjore.
Ndërkohë, kërkimet për gjetjen e pasagjerit vijojnë ende. Në operacion janë përfshirë polumbarët e RENEA-s, forcat e Policisë dhe shërbimi zjarrfikës, të cilët po kontrollojnë zonën e përroit dhe segmentet përreth.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë, e cila do të vijojë veprimet e mëtejshme për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 01:30, është marrë informacion se në vendin e quajtur ura e fshatit Dars, njësia administrative Klos, një mjet tip “Audi”, me targa angleze, ka dalë nga rruga dhe ka rënë në përroin e fshatit Dars.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe shërbimi zjarrfikës.
Nga veprimet e shpejta të kryera nga shërbimet e Policisë u bë i mundur identifikimi i drejtuesit të mjetit, shtetasit A. L., 24 vjeç, banues në fshatin Fullqet, Klos.
Po nga veprimet dyshohet se në automjet ka qenë edhe një pasagjer, shtetasi J. K., 30 vjeç, banues në fshatin Fullqet, të cilin dyshohet se e ka marrë rrjedha e përroit.
Gjatë veprimeve për zbardhjen e rrethanave të aksidentit, shërbimet e Policisë kapën dhe arrestuan shtetasin A. L., 24 vjeç, i cili dyshohet se pas shkaktimit të aksidentit është larguar nga vendngjarja.
Ky shtetas iu nënshtrua testit të alkoolit, nga i cili rezultoi se e drejtonte mjetin në gjendje të dehur.
Ndërkohë, polumbarët e RENEA-s, shërbimet e Policisë dhe zjarrfikësit vijojnë kërkimet në përroin e fshatit Dars për gjetjen e pasagjerit, shtetasit J. K.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme”, thuhet në komunikatën zyrtare të policisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



