Aksidenti tragjik i merr jetën shqiptarit në Itali, lë pas gruan dhe dy fëmijë
Një aksident i rëndë rrugor i ka marrë jetën një 48-vjeçari shqiptar, prej vitesh emigrant në Itali. Ngjarja tragjike ka ndodhur në zonën e Altopascio-s, duke tronditur jo vetëm familjen e tij, por edhe komunitetin vendas ku ai jetonte dhe punonte prej shumë vitesh.
Viktima është Fatmir Muslia, i njohur nga të gjithë si Fabio, një emër me të cilin ishte bërë pjesë e përditshmërisë së komunitetit në Lucca, ku gëzonte respekt dhe vlerësim të veçantë.
Sipas mediave italiane, Muslia po drejtonte një kamion në aksin rrugor Calenzano, i njohur edhe si rruga “A1”, kur për shkaqe që mbeten ende nën hetim, u përplas me një mjet të rëndë që udhëtonte përpara tij. Përplasja ishte e fortë dhe fatale, duke mos i lënë asnjë mundësi shpëtimi 48-vjeçarit, i cili banonte në Via di Vittorio.
Dita e djeshme u shndërrua në një moment dhimbjeje kolektive për bashkatdhetarët dhe miqtë e tij. Një grup shqiptarësh u mblodhën pranë banesës së tij, në kryqëzimin mes Via Firenze dhe Via Romana, ku familja kishte hapur dyert për pritjen e ngushëllimeve.
Ceremonia mortore ishte thellësisht prekëse, me pjesëmarrjen e gjerë të komunitetit, i cili nuk deshi të mungonte në përcjelljen e fundit të Fatmirit. Ai u preh në varrezat e qytetit të Tau-së, mes lotëve dhe fjalëve të dhimbshme të miqve, të cilët theksuan se “Fatmiri do të mungojë shumë”.
Fatmir Muslia lë pas bashkëshorten e tij, Blerinën, si dhe dy fëmijët, Fabiano dhe Fabiola. Prej rreth dy dekadash ai jetonte në Itali, kryesisht në Altopascio, ku ishte integruar plotësisht në jetën shoqërore dhe profesionale.
Miqtë e përshkruajnë si një njeri të sjellshëm, korrekt dhe punëtor, që e donte shoqërinë dhe kishte pasion lojën e bilardos, të cilën e praktikonte shpesh në ambientet që frekuentonte. Shumë prej tyre e kujtojnë si një profesionist të përkushtuar, gjithmonë i gatshëm për punë të vështira dhe udhëtime të gjata, një “padroncino” i vërtetë, siç quhen në Itali shoferët e vetëpunësuar të transportit.
“Kur morëm vesh lajmin, nuk donim ta besonim. Ishte një njeri për t’u admiruar, i saktë në punë dhe gjithmonë i respektueshëm me të gjithë”, tregojnë miqtë e tij, të tronditur nga humbja e parakohshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



