Aksidenti tragjik në Rumani, identifikohet viktima e dytë shqiptare
Zbardhen detaje të reja nga aksidenti i rëndë rrugor i ndodhur të martën në Rumani, ku humbën jetën shtatë tifozë të klubit grek PAOK. Autoritetet kanë konfirmuar edhe identitetin e viktimës së dytë shqiptare, duke e çuar në dy numrin e shtetasve shqiptarë që humbën jetën në këtë ngjarje tragjike.
Pas Vasil Pilos, viktima tjetër shqiptare është identifikuar si Genci Sadiku. Dy të rinjtë udhëtonin në të njëjtin mjet së bashku me tifozë të tjerë, kur furgoni me të cilin po lëviznin u përplas drejtpërdrejt me një kamion, përplasje që rezultoi fatale për të gjithë personat në bord.
Pamjet e publikuara nga vendngjarja ndihmojnë në kuptimin e dinamikës së aksidentit. Sipas materialeve filmike që po qarkullojnë në mediat rumune, furgoni ku ndodheshin tifozët dyshohet se po lëvizte në korsinë e gabuar në momentin e përplasjes, duke çuar në një përplasje “kokë më kokë” me mjetin e tonazhit të rëndë.
Autoritetet rumune kanë nisur një hetim të plotë për të përcaktuar me saktësi rrethanat dhe përgjegjësitë e aksidentit. Ngjarja ka tronditur jo vetëm komunitetin e tifozëve të PAOK, por edhe opinionin publik në Shqipëri dhe Greqi, ndërsa familjarët e viktimave po përballen me një humbje të rëndë dhe të papritur.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



