Akuzohet për korrupsion, detaje nga dosja e gjyqtares së Elbasanit, denoncuesi: Kërkoi 5 mijë €
Zbardhen detaje nga dosja në ngarkim të gjyqtares së Elbasanit Zamira Vyshka që ndodhet në arrest shtëpie për korrupsion. Referuar dosjes hetimore, mësohet se indicia për nisjen e hetimeve ka qenë një denoncim anonim i mbërritur pranë SPAK. Denoncuesi pretendon se Vyshka, duke shfrytëzuar njohjen me avokatin Ilir Pashaj, kanë tentuar të lirojnë një të dënuar me 8 vite burg, përkundrejt një vlere të majme parash.
Detaje të reja janë zbardhur nga dosja hetimore në ngarkim të gjyqtares së Elbasanit Zamira Vyshka, avokatit Ilir Pashaj, të dënuarit Xhuljo Musajit dhe dy familjarëve të tij. Në dosjen e SPAK thuhet se indicia për nisjen e hetimeve është dhënë nga një denoncim i bërë më datë 26 korrik të vitit të kaluar, me një fotokopje anonime pa nënshkrimin e ndonjë personi
“Dua të jap një informacion për gjyqtaren famëkeqe të Elbasanit, Zamira Vyshka. Kjo gjyqtare si një ndër më të korruptuarat nuk ndalet as nga frika e SPAK apo institucioneve të tjera që veprojnë në vend. Ajo është duke kryer një aferë korruptive me një dosje që ka aktualisht në dorë. Bëhet fjalë për çështjen e dërgimit në gjyq për të pandehurin Xhuljo Musaj, i akuzuar për plagosje të rëndë me dashje dhe ndodhet i arrestuar në paraburgimin e Elbasanit”.
Më tej në letrën anonime, shkruhet se gjyqtarja ka vënë kusht që avokati i të arrestuarit Xhuljo Musajit, të jetë llir Pashaj.
“Ky i pandehur ka patur një avokat që e ndiqte çështjen gjatë shqyrtimit të masës së sigurimit, por tani që e mori kuçedra Zamira Vyshka i ka vënë kusht palës që të marrë avokat Ilir Pashajn, ish-gjyqtar në Elbasan dhe mik i ngushtë i gjyqtares.”
Denoncuesi e vijon letrën duke pretenduar se mes Pashajt dhe xhaxhahit të të pandehurit Xhuljo Musajit zhvillohen komunikime dhe takime për të bërë pazaret.
“Më pas Iliri ka rënë dakord me Zamirën si do veprohet për ta nxjerrë të pandehurin nga burgu. Seanca është caktuar për në dt 30.07.2021 ora 10:00 dhe sipas diskutimeve që kjo gjyqtare ka zhvilluar me avokatin Ilir Pashaj, kanë rënë dakord që ajo të marrë 5 000 euro në këmbim të lirisë”
Më pas ky denoncim është referuar në Policinë e Shtetit nga ana e SPAK dhe uniformat blu kanë hapur menjëherë çështjen. Arrestimi i gjyqtares dhe avokatit ndodhi më 22 korrik të këtij viti dhe pas më shumë se 3 orësh marrje në pyetje, ndaj Zamira Vyshkës u caktua masa ‘arrest shtëpie’, ndërsa i pandehuri Xhuljo Musai për të cilin edhe nisi procesi, avokati i tij Ilir Pashaj dhe Taulant Ramollari ndodhen në burg.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



