Alarm kibernetik: Ja si po grabiten paratë me numrin tënd të celularit
Numri i telefonit celular është një nga informacionet më të ndjeshme që ruajmë sot, por megjithatë shpesh mbetet i ekspozuar ndaj sulmeve të kriminelëve kibernetikë.
Edhe pse ekspertët paralajmërojnë vazhdimisht për rreziqet, marrja e numrit të një përdoruesi nuk është gjithmonë e vështirë për mashtruesit. Kjo ka çuar në shtim të rasteve të smishing-ut, vishing-ut dhe sulmeve më të sofistikuara që përdorin inteligjencën artificiale.
Sipas specialistëve të sigurisë digjitale, grumbullimi i numrave telefonikë shpesh nuk kërkon mjete të ndërlikuara. Platforma publike në rrjetet sociale, formularët online dhe shërbimet që kërkojnë kontakt pa një arsye të fortë janë ndër burimet kryesore të rrjedhjes së të dhënave.
Një shqetësim i veçantë lidhet me kompanitë që merren me tregtimin e të dhënave (“data brokers”), të cilat mbledhin informacion nga burime të ndryshme për të krijuar profile të hollësishme të përdoruesve. Kur këto informacione shpërndahen ose shiten, shpesh përfundojnë tek rrjetet e mashtrimeve kibernetike.
Përdorimi i inteligjencës artificiale ka ndryshuar ndjeshëm mënyrën se si realizohen mashtrimet telefonike. Një mostër e shkurtër zëri mund të mjaftojë që kriminelët të krijojnë regjistrime shumë bindëse, që imitojnë familjarë ose kolegë, duke kërkuar para ose qasje në të dhëna personale. Ky fenomen, i njohur si “AI-powered vishing”, po përhapet me shpejtësi.
Po ashtu, sistemet automatike testojnë numra të ndryshëm derisa të gjejnë një përdorues aktiv. Mjafton një përgjigje e vetme për të “konfirmuar” aktivitetin e numrit dhe për t’u shtuar në lista që shpërndahen mes mashtruesve.
Si mund të mbrohet një qytetar?
Ekspertët sugjerojnë disa hapa praktikë për të ulur rreziqet:
-
Të kufizohet publikimi i numrit të telefonit në platforma publike online.
-
Të përdoren aplikacione autentikimi në vend të SMS-ve për verifikim me dy faktorë.
-
Të çaktivizohen cookies të palëve të treta dhe të përditësohen rregullisht pajisjet.
-
Aktivizimi i SIM lock përmes operatorit telefonik.
-
Të qëndrohet i kujdesshëm ndaj mesazheve ose telefonatave të papritura, edhe kur duket se vijnë nga kontakte të njohura ose institucione të besueshme.
Pse është kaq e rëndësishme vigjilenca?
Aftësitë e avancuara të mashtruesve tregojnë se numri i celularit nuk është më thjesht një mjet komunikimi. Ai mund të shërbejë si pika hyrëse për humbje financiare, vjedhje identiteti ose komprometim të llogarive digjitale.
Kombinimi i mbrojtjes së numrit me sjellje të informuar dhe të kujdesshme nga përdoruesit është sot një nga elementët më të rëndësishëm të sigurisë personale në botën digjitale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



