Alarmi i SPAK: Laboratorët e kokainës në Shqipëri, një kërcënim i ri
Po përdoren metoda të sofistikuara
Prania e kimistëve në grupet më të mëdha të trafikut të kokainës, të goditura së fundmi nga SPAK, po nxjerr në pah një ndryshim të qartë në modus operandi të organizatave kriminale shqiptare. Nëse deri dje këto grupe mbështeteshin kryesisht te importi i drogës përmes porteve të vendeve të Europës Perëndimore, si Belgjika apo Holanda, sot strategjia ka evoluar ndjeshëm: përpunimi i kokainës po zhvendoset drejt territorit shqiptar.
Hetimet e fundit tregojnë se lënda narkotike nuk vjen më vetëm si produkt i gatshëm, por transportohet në forma të ndërmjetme dhe përpunohet në laboratorë të ngritur brenda vendit. Ky zhvillim sinjalizon një nivel të ri organizimi dhe profesionalizmi kriminal, ku roli i kimistëve bëhet kyç në nxjerrjen e kokainës nga përbërje të ndryshme.
Zbulimi dhe goditja e laboratorit të Qerekës, si dhe arrestimi i tre kimistëve të përfshirë në këtë aktivitet, konsiderohet një kambanë alarmi për institucionet ligjzbatuese. Ky rast dëshmon se Shqipëria nuk është më thjesht një vend tranzit për drogat e forta, por po shndërrohet në një pikë të rëndësishme për përpunimin e tyre.
Ekspertët paralajmërojnë se lufta kundër trafikut të drogës ka hyrë në një fazë të re. Sofistikimi i metodave kriminale kërkon një përgjigje po aq të avancuar nga ana e autoriteteve, si në aspektin hetimor ashtu edhe në atë parandalues.
Në shumë raste, proceset laboratorike për ekstraktimin e kokainës janë ndërprerë falë ndërhyrjeve të strukturave ligjzbatuese. Megjithatë, mbetet shqetësuese ideja se në territorin shqiptar mund të operojnë ende laboratorë të tjerë të padukshëm.
Në një vend që çdo ditë frekuentohet nga mijëra turistë të huaj, lind pyetja: a mund të jetë pas fasadës së qetë të një vile apo ferme, një laborator i fshehtë ku, nën masa të rrepta sigurie, individë të pajisur me maska dhe doreza përpunojnë lëndë kimike për të nxjerrë kokainë nga përzierje të ardhura nga Amerika Latine?
Kjo është sfida e re me të cilën përballen autoritetet shqiptare – një luftë që tashmë nuk zhvillohet vetëm në kufij, por në zemër të territorit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



