Albana Vokshi i drejtohet të rinjve: Rama ju përbuz. Në 25 prill keni në dorë të ardhmen
Koordinatorja e PD, Albana Vokshi, ishte në një takim me disa të rinj në Laprakë që i janë bashkuar Partisë Demokratike.
Në një mjedis jashtë, duke respektuar rregullat e pandemisë, të rinjtë biseduan me Vokshin e cila kërkoi angazhimin e plotë të tyre në këtë fushatë, duke e quajtur si mënyra më e mirë për të sjellë shpresë dhe besim tek qytetarët.
Një nga çështjet kryesore të diskutuara ishte ajo e largimit të të rinjve nga vendi gjatë këtyre 8 viteve.
“Në 8 vite, 180 mijë të rinj janë larguar, sepse e vetmja alternativa që u jepte Edi Rama ishte mungesa e arsimit, mungesa e punësimit. Praktikisht e braktisi rininë. Praktikisht ju la në baltë. Pjesën më të mirë të shoqërisë shqiptare e la në baltë. Ju largoi ju që të fusë trafikantin e drogës dhe të qenieve njerëzore, vrasësin, kriminelin. Çfarë ju dha juve të rinjve në këto 8 vite? A është ndonjëri prej jush i punësuar në këto 8 vite? Sigurisht që jo. Ju la pa punë, ju la rrugëve, që ju të ikni”-tha Vokshi.
Albana Vokshi vuri në dukje se gjatë këtyre 8 viteve, vendi nuk ka bërë përpara në asnjë drejtim, as në ekonomi, arsim, shëndetësi, ndërsa vendet fqinje kanë përparuar.
“Nuk duhet të mbajmë këtë njeri edhe 4 vite të tjera, tani që ka filluar të riciklojë të njëjtat premtime si para 8 vitesh. Të rinjtë nuk do t’ia japin këtë mundësi këtij kryeministri mashtrues” – theksoi Vokshi.
Koordinatorja politike e PD, Albana Vokshi vuri në dukje se fenomenit shkatërrues të largimit të rinisë dhe vendit duhet t’i jepet fund me zgjedhjen e një qeverije të përgjegjshme, që ka prioritet arsimimin dhe punësimin e të rinjve.
“Jam e sigurtë se jo vetëm ju që jeni këtu, por të gjithë të rinjtë nuk do t’i besojnë me as edhe një sekondë Edi Ramës si kryeministër. Në datën 25, me votën tuaj do të votoni një qeverisje që do të jetë e përgjegjshme. Do të votoni alternativën për rininë, që është alternativa e Partisë Demokratike, me kryeministër Lulzim Bashën, që ka vizionin dhe vullnetin për mbështetjen e rinisë”- tha Albana Vokshi.
Vokshi i njohu të rinjtë me detaje nga programi për arsimin dhe punësimin të PD, i cili i mbështet ata me bursa gjithë kohën dhe me stazh të paguar pas mbarimit të saj.
“Nuk do të varet studimi juaj nga xhepi i prindërve, por thjesht nga vullneti juaj për të mësuar. Ju jeni një fokus të programit të PD, sepse ju jeni energjia dhe forca për të bërë këtë ndryshim në 25 prill.”
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



