Ambasadori i BE i thotë kundër ndryshimeve të njëanshme të Ramës: Duhet marrëveshje për Kushtetutën që qeveria pas zgjedhjeve të pranohet
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar per diten e neserme, miratimin e ndryshimeve kushtetuese qoftë edhe pa dakordësinë e opozitës politike.
24 ore para mbledhjes se Kuvendit, kreu i delegacionit të BE-së, Luigi Soreca, apelon që ndryshimet e rëndësishme që prekin Ligjin Zgjedhor të bëhen me konsensus të gjerë, njësoj si me miratimin e paketës së 5 qershorit.
Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ambasadori Luigi Soreca shprehet se Parlamenti i ka kompetencat ligjore për të bërë ndryshime të tjera që nuk shkelin Kushtetutën, por ai kujton marrëveshjen e 5 qershorit të firmosur edhe nga maxhoranca, në të cilën, sipas kryediplomatit, shkruhet qartë se për ndryshime të tjera të rëndësishme që prekin Kodin Zgjedhor, duhet konsensus i gjerë, e gjithëpërfshirës.
“Unë e pranoj që Parlamenti ka një rol institucional në propozimin dhe miratimin e nismave shtesë legjislative, përfshirë për çështjet zgjedhore të mbuluara nga marrëveshja. Pasi e kemi thënë këtë, marrëveshja thoshte qartë që çdo nismë e mëtejshme duhet të diskutohet midis të gjitha palëve me të njëjtën frymë bashkëpunimi dhe gjithëpërfshirjeje si marrëveshja e 5 qershorit. Kjo është arsyeja pse unë vazhdimisht, publikisht dhe në takime diplomatike, kam bërë thirrje që procesi të jetë sa më konsensual që të jetë e mundur, sepse sistemi zgjedhor përcakton rregullat e lojës demokratike dhe gjithëpërfshirja është thelbësore për çështjet zgjedhore. Është në interes të të gjitha palëve në zgjedhje që të arrijnë një marrëveshje të përgjithshme në një kohë të mjaftueshme përpara ditës së zgjedhjeve, në mënyrë që të kemi një qeveri që pranohet nga të gjithë, pas zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të njohura nga të gjithë aktorët politikë. Prandaj, është mirëpritur fakti që pas votimit të 23 korrikut palët kanë vazhduar të diskutojnë në Këshillin Politik për ndryshimet e propozuara kushtetuese, me qëllim që ndryshimet që rezultojnë të përcaktohen dhe sqarohen në mënyrën më konsensuale të mundshme. Unë jam ende i bindur që kjo mund të ndodhë përpara se të zhvillohet votimi,” shprehet Soreca.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



