E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Analistët :SHBA e prërë për grupet kriminale shqiptare!
Flash

Analistët :SHBA e prërë për grupet kriminale shqiptare!

SHBA: Grupet kriminale shqiptare dhe lidhjet me kartelet latine janë rrezik për sigurinë dhe ekonominë e vendit

Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë krimin e organizuar shqiptar dhe bashkëpunimin e tij me kartelet e drogës në Amerikën Latine si një kërcënim serioz për sigurinë dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, duke kërkuar forcim të institucioneve të drejtësisë në luftën kundër këtyre rrjeteve.

Mesazhi u përcoll nga e Ngarkuara me Punë e SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn, në një deklaratë të publikuar të premten nga ambasada amerikane, gjatë ceremonisë së mbylljes së një trajnimi të udhëhequr nga FBI për hetues të SPAK dhe BKH.

VanHorn theksoi se këto rrjete kriminale “përbëjnë kërcënime të konsiderueshme për sigurinë dhe përparimin ekonomik të Shqipërisë”, duke përmendur aktivitetet e narkotrafikut dhe pastrimit të parave, të ndihmuara edhe nga teknologjitë moderne. Ajo nënvizoi se lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikut të narkotikëve mbetet prioritet kryesor i SHBA-ve dhe se Uashingtoni do të mbështesë forcimin e institucioneve shqiptare që luftojnë këto fenomene, përfshirë SPAK, BKH dhe Akademinë e Sigurisë.

Ky sinjal politik, sipas analistëve, lidhet me ndikimin që krimi i organizuar ka në ekonomi dhe politikë, si dhe me mungesën e reagimit institucional ndaj kapitalit informal. Pedagogu Ermal Hasimja e cilësoi mesazhin si përsëritje të paralajmërimeve të hershme, duke theksuar se rrjetet e trafikut “nuk do të përmendeshin” pa pasur baza dhe ndikim në Shqipëri.

Ndërsa drejtuesi i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi, rikujtoi se SHBA kanë ngritur vazhdimisht shqetësimin për lidhjet e grupeve shqiptare me rrjetet e drogës në Amerikën Latine e më tej, duke përmendur edhe një rast sanksionesh të zgjeruara ndaj një familjeje kriminale shqiptare të akuzuar për pastrim parash përmes një rrjeti biznesesh ndërkombëtare. Sipas Krasniqit, problemi qëndron te mungesa e hetimeve në Shqipëri për burimet e kapitalit dhe investimet, veçanërisht në ndërtim dhe resorte turistike, edhe kur individë të tillë sanksionohen jashtë vendit.

Në thelb, paralajmërimi amerikan është i qartë: pa goditur pastrimin e parave dhe lidhjet e krimit me ekonominë e politikën, Shqipëria rrezikon të mbetet peng i kapitalit informal dhe i një modeli zhvillimi të bazuar te paratë e drogës.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.