E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Analiza/ ‘Të gjitha shenjat e dekadencës së Ramës dhe ministrave, pse duhet hedhur në lumë mikroskopi që shohim problemet e…’
OP-ED

Analiza/ ‘Të gjitha shenjat e dekadencës së Ramës dhe ministrave, pse duhet hedhur në lumë mikroskopi që shohim problemet e…’

AGRON GJEKMARKAJ/ gjekmarkajPothuaj në të gjithë fjalorët, dekadenca shpjegohet si zvogëlim progresiv i prosperitetit, forcës, energjisë, pozitivizmit etj. Askush nuk vjen në sheshin “Skënderbej” veshur me çitjane e daullen mbështetur mbi plënc, duke i rënë asaj lëkure e vikatur njëkohësisht o milet, nesër në orën 19 mbërrin “dekadenca” para Kryeministrisë! Dilni ta shihni, vraponi të fiksoni përqafimin e Kryeministrit me të, nxitoni të këqyrni qysh ministrushët dhe ministreshat mallëngjehen e në lot çurg mbyten, rendni të sodisni shokun Gramoz e shokun Taulant tek befasohen nga vërshëllimet e saj! Jo, jo, nuk ndodh kështu. Ajo hyn si grami në vresht…! Hardhitë e rilindjes janë tharë. Rakia e saj piqet me sheqer. Tash që po fillon i gjashti vit i qeverisë së Rilindjes, ajo (dekadenca) ka prekur apogjeun e vet. Ta krahasosh Agusto Romolin e vitit 476 (perandorin e fundit) me Edi Ramën e 2018-s do të ishim të pashpirt, pa drejtpeshim historik, pa masën e duhur të respektit për të kaluarën e kontinentit dhe mbi të gjitha, trukokalle nga mendtë e kresë kur këqyrim “Rilindjen” tonë politike sot.

a i lodhshëm dhe cinik do të ishte ballafaqimi i senatorëve flokëbardhë, të cilët pikëlloheshin mbi vrugun që shfaqej mureve të perandorisë, qe kreshpëroheshin nga troku i barbarëve, të cilët Limesin kishin lënë pas krahëve dhe mes hingëllimash, statujat e perëndive dhe perandorëve shkallmonin rrugës me ministrat, deputetët, partiakët, kryebashkiakët, drejtorët e Edi Ramës që zgërdhihen, qe lëpijnë buzët, qe lyejnë flokët, që marrin, që dhunojnë, që rrahin dhe s’të lënë me kja! Dekadencë ishte edhe ajo e perandorisë Romake, por e epërme, tragjike, nostalgjike, plot përhumbje e rënkime për dritën e botës, që nga pluhur i fillim Mesjetës dukej sikur përjetësisht shkimej e mbulohej si thesarët nën hi. Dekadencë është edhe kjo e kësaj mazhorance aspak poetike dhe epike, por tejet banale e kundërmuese me taftin e saj kripur me hipokrizi, banalitet, korrupsion e mujshari cubash. Kryeministri i pari vërtitet rreth vetvetes! Shkëlqimi i ditëve të para, kur nga Presidenca në këmbë bënte rrugën për tek resmja në shkallët e Kryeministrisë, ngjan si lëmashku mbi një kënetë, sipër së cilës asnjë rosak nuk hedh më glasa për të krijuar rrathë bashkëqendrorë! Fjalori i është varfëruar, idetë gjithashtu, hokat e romuzet po kaq, puna s’i ka duk e madje as fasada s’ka më, veç yrnek me fjalë prej agimit në mesnatë! Shqiptarët po ikin nga sytë këmbët! Ata që rrinë, s’e dinë çfarë i pret ditën e mëpasme. Ekonomia për dreq tkurret çdo ditë si lëkura e shagrenit! Demokracia është identifikuar me sundimin, i cili është suksesi i tij më i madh. Kapja e faktorëve ekonomikë, mediatikë dhe lidhjet me botën e krimit janë tjetër zulme e tij. Vendit i mungojnë gjykatat themelore dhe Parlamenti do duhet ta vërë nën “stato d’açusa” Kryeministrin (gjendje akuze), por nuk e bën se është nën thundër! Ai ka po si dekorata në gjoks jo vetëm shndërrimin e kriminelëve në parlamentarë, por edhe Saimir Tahirin dhe Fatmir Xhafën me vepra, me bëma, me rezultate! Një Shqipëri nën kanabis dhe kokainë! Një Polici që mbron dhunuesit e dhunon viktimat. Kryeministri si një psikolog i banalitetit të së keqes, e ka ndarë vendin në çifligje për prurësit e tyre të votave. Ata mbjellin kanabis, ata caktojnë deputetët dhe drejtorët, ata në çdo rast marrin shenja nga Kryeministri që ai nuk i lë në baltë. Në zonat e tyre shteti ka rënë. Shteti ekziston vetëm në televizion. Shteti ka rënë edhe në Kryeqytet. Kryeministri me logjikë junte po shemb trashëgiminë kulturore, Teatrin Kombëtar e ndërton kulla si përbindësha me miqtë e tij të kraharorit, pa e mërzitur aspak ndërgjegjen se çfarë po u bën qytetarëve praktikisht dhe simbolikisht.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.