E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Anatomia e një mbretërie pa kurorë (por me flamingo)
OP-ED

Anatomia e një mbretërie pa kurorë (por me flamingo)

Naim Noka

Skenari është pothuajse i përsosur për një satirë politike, nëse nuk do të ishte një tragjedi e jetuar mbi kurrizin e një populli të varfëruar dhe të poshtëruar deri në detaje. Ne kemi vite që jetojmë në një sistem sa hibrid, po aq edhe absolutizëm i pastër.

Le t’i kthejmë pak sytë pas për të kuptuar se ku jemi katandisur. Kaluan katër vjet të gjata pa Gjykatë të Lartë dhe katër vjet pa Gjykatë Kushtetuese. Vendi u katandis aty ku shteti i së drejtës hyri në vdekje klinike dhe askush nuk mbante përgjegjësi. Që prej vitit 2019, pas atij vendimi fatal dhe të pamenduar mirë të djegies së mandateve nga PD-LSI, Shqipëria mbeti de facto pa opozitë. Zgjedhjet reale ranë, duke u zëvendësuar nga farsa moniste e rilindjes së mbretit, ku fituesi dihej pa nisur ende gara.

Sot, pushteti nuk ka nevojë as të lodhet për të bindur qytetarët. Me një makineri të frikshme prej 800 mijë votash të garantuara nga pensionistët, administrata publike dhe familjarët e tyre, patronazhimi është kthyer në kusht mbijetese.

Dhe sikur të mos mjaftonte kapja e çdo qelize të shtetit, u spastrua edhe oborri i brendshëm, duke ngelur vetëm me Sarat dhe Zegjinetë…

Asnjë zë kundër në partinë e mbretit që prej daljes nga skena të kundërshtarit të fundit, Ben Blushi. Një heshtje e frikshme, e thyer vetëm nga koret e një tufe servilësh që, pa asnjë pikë turpi, e quanin “Skënderbe” dhe “lider global”.

Por servilizmi vendas nuk mjaftonte më, skena po zgjerohet. Tani na dalin edhe ca palo arkitektë të huaj me propozime “ekzotike”, të cilët, pasi zhvasin miliona euro nga ndërtimi i Kartelit të Arubës me mbretin de facto, pyesin: “Pse nuk bëhesh mbret i vërtetë edhe me letra?”

Po ky, lideri ynë, mirë që i ka frenuar  instinktet e veta, sepse me këtë lloj presioni “pozitiv”, me këtë lëpirje globale e lokale, mund t’i kishte lëshuar fare flamingot e fantazisë së tij autokrate. Në fakt, duhet t’i jemi mirënjohës fatit që dikush rrotull tij nuk i ka pëshpëritur në vesh se ka lindur për Perandor. Imagjinoni për një çast: do të merrte ato pak trupa, ata 9 mijë ushtarët tanë shqiptarë, bandat e Elbasanit, Durrësit, Fierit, Tiranës dhe Shkodrës dhe, i dehur nga megalomania e rrethuar me temjan servilësh, do të nisej të pushtonte Ballkanin për të jetësuar profecinë.

Këtu satira ndalet dhe nis realiteti.

Ky nuk është thjesht një tekst me ngjyra ironie. Kjo është pasqyra e një vendi që ka dorëzuar çelësat e demokracisë në këmbim të një stabiliteti fals, të cilin na e kanë kërkuar burokratët euroatlantikë, të korruptuar deri në palcë.

Kjo është shkërdhatokracia e mbretit tonë de facto: me institucione të shpartalluara, me opozitë të vetëvrarë, me administratën si ushtri votuesish dhe me ndërkombëtarët që, pasi merrnin ose thasë me euro, ose copa Shqipërie, i përkëdhelin egon një njeriu të vetëm. Rezultati është ky që kemi sot: një autokraci e veshur me rrobat e një lideri global me atlete.

Pyetja që mbetet pas kësaj balade servilizmi është: Deri kur do të vazhdojë publiku dhe qytetarët që e duan këtë vend, të mjaftohen me rolin e spektatorit në këtë shfaqje absurde? Ndaj protestat duhet ta pastrojnë qelbin që ka mbushur trupin e shtetit shqiptar nga dora e një të paudhi, që nuk ka asgjë të përbashkët me një njeri normal.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.