Andi Bejtja për Albin Kurtin: Eshtë një politikan dinjitoz dhe me shumë integritet
Duke komentuar kryeministrin e ardhshëm të Kosovës, Albin Kurti, gazetari Andi Bejtja tha se ai është një politikan dinjitoz dhe me shumë integritet, i cili e ka ngritur shumë lart diskursin në politikën shqiptare.
I ftuar në “Opinion”, Bejtja e krahasoi atë me një abazhur “që ka ndriçuar gjithë rraqet e politikës shqiptare, pazarxhinjtë e gazetarisë, politikës, shoqërisë civile”.
“Albin Kurti e ka ngritur diskursin politik shqiptar në një nivel shumë të lartë. Intervista kishte shumë teza, më shumë dukej si filozof se sa si një lider. Edhe pesë ditë po ndenji, është një abazhur aq i mirë dhe aq i çmuar saqë ka ndriçuar gjithë rraqet e politikës shqiptare, pazarxhinjtë e gazetarisë, politikës, shoqërisë civile, aq mirë sa kushdo tjetër“, u shpreh Bejtja.
“Nuk bie dakord që intervista jote me Albinin ishte intervistë pa brendi, pa teza. Unë të përgëzoj se ishte nga intervistat më të mirat të tuat dhe ishte nga intervistat më të mira të një lideri shqiptar dhënë ndonjëherë. Dhe ne nuk po e kuptojmë se kemi hyrë në një epokë të re me Albin Kurtin. E duam apo nuk e duam, na pëlqen një element apo nuk na pëlqen, biem apo nuk biem dakord me tezat ekonomike apo nuk biem, e ka ngritur diskursin politik shqiptar në një nivel aq të lartë sa do të jetë e vështirë ta konkurrojë njeri. Ju shikoni vetëm euforinë e qytetarëve shqiptarë. E para intervista dje kishte teza sa të plasë, sa ai dukej më shumë si filozof sesa si lider. E dyta, do ta them hapur dhe do ta mbyll këtë histori. Mendoj që edhe 5 ditë po ndenji, deri të premten dhe po të ikë prapë, është një abazhur aq i mirë dhe aq i domosdoshëm sa ka ndriçuar të gjitha rraqet e politikës shqiptare, pazarxhinjtë e gazetarisë, shoqërisë civile, më mirë se kushdo tjetër. Diskursi i tij politik e ka vendosur stekën e politikës shqiptare më lart se çdo tjetër. E para ai i ka sjellë dinjitet që i mungonte politikës shqiptare tek të gjithë liderët. Dinjitet në raport me ndërkombëtarët, me të brendshmit, me pazaret dhe kulimat, etj. Ka mbaru epoka e pazareve. Mbaroi epoka e pazareve Prishtinë-Beograd, dialogu do të vazhdojë. Kosova nuk do të jetë temë, por palë”, tha Bejtja.
Ndryshe nga ai, u shpreh Henri Çili, sipas të cilit në intervistën e Kurtit kishte përmbajtje problematike.
“Fitorja e tij ishte kalkulative, thjeshtë një deputet më shumë, një deputet më pak. Nuk është e vërtetë se nuk kishte përmbajtje, po për mendimin tim kishte përmbajtje shumë problematike. Vetëvendosje është kundër perëndimit, kundër demokracisë, kundër tregut dhe kundër “Zotit”.”
Këto pretendime, Bejtja i quajti abuzime, pasi sipas tij të kesh dinjitet nuk do të thotë të jesh kundër perëndimit. /tvklan.al
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



