Viktimë dhe Anxhelo Ruçi djali i shefit të policisë dhe nipi i Gramoz Ruçit

Humbi jetën në aksident
Një aksident i rëndë rrugor, i ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në aksin Gjirokastër–Tepelenë, në zonën e njohur si “Bypass”, ka marrë jetën e tre të rinjve dhe ka lënë një vajzë të plagosur rëndë.
Viktima është identifikuar Anxhelo Ruçi, 27 vjeç, i cili udhëtonte me një automjet tip Volkswagen, me targa AB 797 VP, së bashku me Klejdi Myftari, 24 vjeç. Si pasojë e përplasjes së fortë me një automjet tjetër tip Mercedes-Benz, të dy të rinjtë kanë humbur jetën.
Në mjetin tjetër udhëtonin Martin Dulaj, 25 vjeç, i cili ka ndërruar jetë në vendngjarje, si dhe Arsida Demiri, 19 vjeçe, e cila ka mbetur e plagosur rëndë. E reja është transportuar me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar.
Sipas burimeve mjekësore, 19-vjeçarja ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, por me parametra jetësorë të qëndrueshëm dhe po mbahet nën monitorim intensiv. Për shkak të politraumës së pësuar, ajo ende nuk konsiderohet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa vijojnë konsultat mjekësore të specializuara.
Anxhelo Ruçi ishte djali i shefit të Komisariatit të Policisë Tepelenë, Rami Ruçi, si dhe nip i ish-kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit të rëndë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



