E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Arben Cara: Zjarri nuk luftohet vetëm me mjete, por me vendime
Lajme

Arben Cara: Zjarri nuk luftohet vetëm me mjete, por me vendime

Ish-drejtuesi i shërbimit zjarrfikës, Arben Cara, ka reaguar me një analizë të detajuar mbi mënyrën se si drejtohen dhe vlerësohen operacionet për përballimin e zjarreve, duke vënë në pikëpyetje një qasje që, sipas tij, e mat suksesin kryesisht me numrin e mjeteve, sasinë e ujit apo mbështetjen ajrore.

“Vendimi merret në gjashtë minuta dhe gjykohet për gjashtë muaj”, shkruan Cara, duke argumentuar se menaxhimi i një zjarri nuk mund të reduktohet te burimet e angazhuara në terren.

Sipas tij, një prej gabimeve më të mëdha është ideja se zjarri mund të përballohet vetëm përmes shtimit të mjeteve dhe ujit.

“Zjarri nuk barazohet me ujë dhe mjete. Të mendosh kështu është një doktrinë që të çon drejt vendimeve të gabuara”, shprehet ai.

Vendimet e minutave të para, vendimtare për operacionin

Cara thekson se pas çdo zjarri të përmasave të mëdha debati zakonisht përqendrohet te numri i zjarrfikëseve, avionëve dhe helikopterëve të përdorur. Megjithatë, sipas tij, shumë më pak vëmendje i kushtohet vendimeve të marra në minutat e para, kur zhvillimi i situatës mund të përcaktohet në mënyrë të konsiderueshme.

Nga përvoja e tij, ai sjell raste kur zjarre të mëdha nuk janë arritur të kontrollohen edhe me 20 automjete në terren, ndërsa në raste të tjera situata është menaxhuar me vetëm pesë mjete.

Dallimin, sipas tij, nuk e ka bërë gjithmonë sasia e burimeve, por aftësia e komandës për të parashikuar që në orët e para se ku mund të shkojë zjarri dhe si do të evoluojë fronti i tij.

Pikërisht për këtë arsye, Cara e vendos parashikimin dhe vendimmarrjen në qendër të menaxhimit të emergjencave.

Mbështetja nga ajri nuk mjafton

Ish-kreu i Zjarrfikësve nënvizon gjithashtu se avionët dhe helikopterët janë mjete të rëndësishme në luftën kundër zjarreve, por nuk mund të përfundojnë të vetëm një operacion të tillë.

Sipas tij, ndërhyrjet nga ajri mund të ngadalësojnë përhapjen, të ulin temperaturën e frontit dhe t’u krijojnë kohë ekipeve tokësore për të vepruar. Megjithatë, konsolidimi përfundimtar i zonës duhet të kryhet nga zjarrfikësit në terren.

“Nëse pas hedhjes nuk ka ekip që e konsolidon menjëherë zonën, uji avullon dhe zjarri mund të rikthehet”, paralajmëron Cara.

Ai tërheq vëmendjen edhe te një rrezik që mund të mos jetë i dukshëm pasi flakët janë ulur: djegia e fshehtë ose pa flakë.

Zjarri mund të vijojë në shtresat e humusit, në rrënjë, brenda trungjeve të zbrazëta apo në grumbujt e gjetheve. Për këtë arsye, largimi i ekipeve menjëherë pas zhdukjes së flakëve, pa përfunduar procesin e ftohjes dhe kontrollit të perimetrit, mund të krijojë kushtet për riaktivizimin e zjarrit.

Nëntë parime për drejtimin e operacioneve

Në analizën e tij, Cara rendit disa parime që, sipas tij, duhet të udhëheqin komandantët gjatë menaxhimit të një zjarri.

Ndër elementët kryesorë ai përmend parashikimin e përhapjes së zjarrit, vendimmarrjen në kohë, shkurtimin e hallkave të panevojshme të hierarkisë dhe krijimin e strukturës së komandimit që në fazat e para të emergjencës.

Ai nënvizon gjithashtu nevojën për përshtatjen e vazhdueshme të strategjisë në varësi të zhvillimit të situatës dhe, mbi të gjitha, garantimin e sigurisë së ekipeve në terren.

Sipas Carës, mbrojtja e jetës së zjarrfikësve dhe e popullsisë duhet të jetë objektivi kryesor i çdo operacioni. Në këtë kuadër, tërheqja e ekipeve nga një zonë e rrezikshme apo evakuimi i banorëve nuk duhen interpretuar si dështim.

Përkundrazi, ai i konsideron këto vendime si pjesë të një menaxhimi profesional të emergjencës, kur kushtet në terren e bëjnë të pamundur ndërhyrjen e sigurt.

“Investojmë më shumë për të reaguar se sa për të vendosur”

Në përfundim të analizës së tij, Cara kritikon atë që e konsideron si një çekuilibër mes investimeve në kapacitete materiale dhe investimeve në aftësinë për të marrë vendime.

“Ne investojmë miliona në kapacitetin për të reaguar, por shumë më pak në kapacitetin për të vendosur. Çdo verë bëjmë të njëjtën zgjedhje dhe çdo shtator e paguajmë”, shkruan ai.

Reagimi i tij vjen pas largimit nga drejtimi i shërbimit zjarrfikës. Sipas raportimeve të mëparshme, Cara nuk kishte dhënë dorëheqjen, por ishte shkarkuar nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari.

Duke e përmbledhur qëndrimin e tij, ish-kreu i Zjarrfikësve e vendos theksin te vendimmarrja dhe koha e reagimit.

“Zjarri luftohet nga vendimi i duhur, në kohën e duhur, nga njeriu i duhur”, përfundon Arben Cara.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.