Denoncimi: Arben Cara u largua se nuk i shkoi sipas “avazit” Ramës
Një denoncim anonim ka mbërritur në redaksinë e publik.al, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si po trajtohen kërkesat për mbrojtjen nga zjarri në projektet e kullave dhe ndërtesave të larta në Tiranë.
Mesazhi, i dërguar nga një individ që pretendon se ka punuar në strukturat përkatëse, lidhet drejtpërdrejt me Arben Carën, Drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (MZSH).
“Përshëndetje z. Arben Cara pati fatin tim, është shkarkuar me urdhrin e Ramës, po si unë në janar. Arsyet janë të qarta, pasi nuk mund të shkelim ligjet e shtetit për parandalimin dhe mbrojtjen nga zjarri për kullat që firmos Rama do t’i kaloj pa shkallë emergjence”, thuhet në denoncimin e mbërritur në redaksi.
Çfarë thotë ligji për sigurinë nga zjarri?
Ligji nr. 152/2015 “Për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin” përcakton ndër të tjera se masat parandaluese ndaj zjarrit duhet të merren që në fazën e projektimit dhe ndërtimit të objektit.
Ligji përcakton gjithashtu se lejet e zhvillimit dhe ndërtimit, si edhe aktet e shfrytëzimit të strukturave ndërtimore, jepen vetëm pas plotësimit të rregullave të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit.
Rregullat teknike për mbrojtjen nga zjarri në ndërtesat e banimit përcaktojnë gjithashtu kërkesa për evakuimin dhe elementët e sigurisë, duke përfshirë edhe “shkallët e sigurisë së jashtme”, të cilat duhet të realizohen me materiale me rezistencë ndaj zjarrit.
Kjo e bën pretendimin e denoncuesit për “kullat pa shkallë emergjence” një çështje që kërkon verifikim konkret mbi projektet, lejet dhe aktet e mbrojtjes nga zjarri të objekteve të caktuara, dhe jo thjesht një deklaratë politike.
Cara vetë ka folur për mangësitë në zbatimin e ligjit
Pretendimi i denoncimit vjen në një kohë kur vetë Arben Cara ka ngritur publikisht shqetësime për respektimin e detyrimeve ligjore në fushën e mbrojtjes nga zjarri.
Në gusht 2025, Cara deklaroi se shumë bashki nuk kishin krijuar kushtet e nevojshme infrastrukturore për forcat operacionale dhe se MZSH u dërgonte çdo vit shkresa për zbatimin e detyrimeve ligjore.
Në një tjetër prononcim, ai ka theksuar se ndërhyrja në ndërtesa të larta kërkon kapacitete të posaçme, duke folur edhe për përdorimin e autoshkallëve dhe kapacitetet për ndërtesa deri në dhjetëra kate.
Këto deklarata e bëjnë edhe më të rëndësishme pyetjen që ngre denoncimi: a po kontrollohen realisht projektet e kullave para se të marrin miratimet përkatëse të sigurisë nga zjarri?
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



