U dorëhoq apo e larguan? Prapaskenat e largimit të Arben Carës
Largimi i kreut të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, Arben Cara, në një prej momenteve më kritike të sezonit të zjarreve në vend, ka marrë një tjetër dimension pas një urdhri të firmosur nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari.
Cara njoftoi më 10 gusht largimin e tij nga detyra, duke e paraqitur zhvillimin si dorëheqje.
Gazetarja Aida Topalli ngriti dyshime mbi dorëheqjen e Arben Carës
Dy fjalë për Arben Carën!
Largimi i tij jo vetëm nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Zjarrfikës, por edhe përfundimisht nga të qenurit pjesë e këtij profesioni human, është humbje e madhe për institucionin.
Dhe së dyti, një njeri që e do aq shumë profesionin e tij, që del vetë në vijën e parë të frontit, që ju jep zemër dhe i mbështet vartësit dhe kolegët e tij aq shumë, nuk ikën pa pasur ndonjë arsye shumë të madhe, të shkaktuar nga të tjerët në vazhdimësi!
Dhe jam e bindur që të dyja këto mendim-konstatime i mbështet edhe çdo zjarrfikës i Shqipërisë, e madje do të thoja edhe vetë Ministria e Brendshme, bashkë me Lamallarin, që nuk e di se ç’bën aty ende!
Me 10 gusht ministri i Brendshëm Besfort Lamallari firmosi urdhrin nr. 162, përmes të cilit shfuqizoi një urdhër të mëparshëm të vitit 2024, të firmosur nga ish-ministri i Brendshëm Taulant Balla.
Bëhet fjalë për urdhrin nr. 42, datë 15 shkurt 2024, i cili kishte shërbyer si baza administrative për delegimin e kompetencave të Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit te Arben Cara.
Cara drejtonte strukturën mbi bazën e delegimit të kompetencave
Shfuqizimi i këtij urdhri nxjerr në pah një element të rëndësishëm të mënyrës se si Cara ka ushtruar funksionin drejtues gjatë më shumë se dy viteve.
Ai nuk rezulton të ketë drejtuar strukturën mbi bazën e një emërimi përfundimtar në postin e Drejtorit të Përgjithshëm, por përmes delegimit të kompetencave të përcaktuar në urdhrin e vitit 2024.
Pikërisht ky akt u shfuqizua nga ministri Lamallari më 10 gusht, në të njëjtën ditë kur u bë publik largimi i Carës.
Në aspektin administrativ, ky veprim ndryshon ndjeshëm mënyrën se si mund të interpretohet largimi i tij. Ajo që në planin publik u paraqit si një dorëheqje vjen në një kohë kur ministri kishte hequr bazën mbi të cilën Cara ushtronte kompetencat e drejtuesit të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit.
Pse u shfuqizua urdhri pikërisht më 10 gusht?
Pikëpyetjet shtohen edhe për shkak të momentit kur është ndërmarrë ky veprim.
Shfuqizimi i urdhrit nr. 42 të vitit 2024 është bërë pikërisht më 10 gusht, ditën kur Cara njoftoi largimin nga detyra. Për momentin nuk është e qartë nëse vendimi i ministrit ka qenë paraprirës ndaj dorëheqjes, nëse Carës i është kërkuar të largohej apo nëse të dyja zhvillimet kanë qenë pjesë e një procesi të koordinuar administrativ.
Këto rrethana lënë të hapur pyetjen nëse bëhet fjalë për një dorëheqje të mirëfilltë apo për një largim që erdhi si pasojë e heqjes së bazës administrative të ushtrimit të funksionit. Por Vetë Cara e mohoi faktin se ishte dorëhequr për shkak të urdhërit të ministrit Lamallari.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




