E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Arbeni, Ulsiu dhe liria e medias
Lajme

Arbeni, Ulsiu dhe liria e medias

 

Në një vend ku liria e shprehjes mbahet si gur themeli i demokracisë, drafti i ri i Kodit Penal dhe mbrojtja e tij prej Arben Rakipit dhe Ulsi Manjës, ngre një pikëpyetje të madhe: a po kthehet fjala e lirë në një luks të rrezikshëm?

Një “dëgjesë” që nuk dëgjoi askënd

Takimi i së enjtes u prezantua si dialog me gazetarët, por përfundoi si një monolog i pushtetit. Në një sallë ku duhej të dëgjohej zëri i shoqërisë civile dhe i mediave, u dëgjuan vetëm fjalimet e gjata të ministrit të Drejtësisë dhe drejtorit të Shkollës së Magjistraturës. Kritikat e organizatave ndërkombëtare, të gazetarëve, e deri të Komisionit të Medias, u anashkaluan me një fjalë: “nuk e kanë lexuar mirë”. Ky është mentaliteti tipik i pushteteve që nuk duan të shohin pasqyrën fajin e kanë gjithmonë kritikët, jo drafti.

Në thelb, debati nuk është vetëm për një nen teknik. Është për parimin: a duhet fjala e lirë të përballet me prangat e kodit penal? Rakipi e shpjegon si “nevojë”, duke pretenduar se gazetarët nuk mund të jenë “të licencuar” për të shpifur. Por çfarë është shpifje në një vend ku drejtësia është e kapur, ku pushteti përdor gjykatat si mburojë? Për një gazetar investigativ, një akuzë e ngritur mbi faktet mund të quhet “shpifje” vetëm sepse prek interesat e një politikani apo oligarku. Pra, shpifja nuk është rreziku real rreziku është shndërrimi i saj në një armë për të heshtur fjalën e lirë.

Manja dhe Rakipi e përdorën Bashkimin Europian si kartë sigurie: “ndryshimet do të bëhen vetëm me vulën e Brukselit”. Por kjo nuk është garanci, është alibi. BE-ja ka qenë e qartë: kriminalizimi i shpifjes bie ndesh me standardet europiane. Megjithatë, ekspertët e qeverisë vazhdojnë të këmbëngulin në të kundërtën, duke lënë të kuptohet se mund ta “shesin” këtë si kompromis politik. Pra, nuk është fjala për respektim të lirisë së shprehjes, por për manovra politike.

Edhe nëse sot drafti rishikohet, ideja që drejtuesit e institucioneve të drejtësisë mendojnë se fjala duhet kufizuar me burg, mbetet një alarm serioz. Sepse kjo tregon një mentalitet autoritar që nuk njeh kritikën si oksigjen të demokracisë, por si kërcënim personal.

Arben Rakipi dje u përpoq të na bindte se gazetarët nuk rrezikohen nga drafti. Por fjalia e tij më e rëndësishme ishte një tjetër: “nuk duhet t’i vijë keq Shqipërisë nga parashikimi apo mosparashikimi i shpifjes në Kod”. Pikërisht këtu është problemi  kur pushteti nuk kupton se fjala e lirë është jo një “opsion” politik, por themeli i vetë shtetit demokratik. Dhe kur drejtësia kërkon të mbyllë gojët, nuk është më drejtësi  është censurë me kod penal.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.