Ardi Veliu konfirmohet në detyrë si kreu i Policisë së Shtetit
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, është konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit.
Dje, Veliu u përball me Komisionin e Jashtëm të Vlerësimit, ku u diskutuan gjetjet në kuadër të vetingut në Polici.
***
Në seancën dëgjimore, KJV lexoi të dhënat e mbledhura nga hetimi për pasurinë e kreut të Policisë së Shtetit, por edhe aftësitë e tij profesionale e pastërtinë e figurës. Në të tre komponentët, Veliu rezultoi i pastër e për rrjedhojë, sot që do të shpallet vendimi, pritet konfirmimi i tij në detyrë. Gjatë seancës dëgjimore u diskutua edhe një problem për raportime që e dyshonin atë si të implikuar në lëvizjen e klandestinëve. Bëhet fjalë për vitet 2002-2003 dhe 2007, kur dyshohej për lëvizjen e klandestinëve, favorizim për falsifikim vizash, megjithatë këto informacione nuk kanë pasur vijueshmëri dhe nuk është hapur proces penal. Gjithashtu, Ardi Veliu nuk është marrë i pandehur apo të ketë qenë në hetim. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë foli edhe vetë për këtë çështje. “Në lidhje me pretendimet për përfshirje në falsifikim pasaportash në vitin 2007, deklaroj se prej 15 gushtit 2006 nuk kam qenë pjesë e Policisë së Shtetit. Kam dalë në reformë dhe s’ka si të isha pjesë e kësaj”, është shprehur Veliu.
PASURIA
Për sa i përket pasurisë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë rezulton se ka porositur një apartament në Tiranë, në vitin 2017, me vlerë 79 mijë euro. Apartamenti është në ndërtim, ndërsa për blerjen e tij, ai ka marrë 5 milionë lekë kredi, të cilën vijon ta shlyejë. Ndërkohë, aktualisht Ardi Veliu jeton në shtëpi me qira dhe nuk rezulton të ketë pasuri të tjera të paluajtshme. KJV ka zbuluar nga hetimi se ai ka një llogari bankare prej 750 mijë lekësh nga të ardhurat, ka llogari page 190 mijë lekë, si dhe 5 mijë euro të përfituara nga shitja e një makine. Ndërsa tashmë ai nuk ka makinë në pronësi të tij. Sa u përket të ardhurave të bashkëshortes së Veliut, ajo ka 800 mijë lekë nga paga dhe një depozitë 2 milionë e 400 mijë lekë të dhuruara nga prindërit pas shitjes së një apartamenti në Vlorë. Në këtë mënyrë, KJV ka arritur në përfundimin se Ardi Veliu ka deklaruar saktë pasurinë, ka burime të ligjshme dhe nuk ka konflikt interesash.
PASTERTIA E FIGURES
Sa i përket kontrollit të figurës, DSIK ka konfirmuar se Ardi Veliu ka certifikatë sigurie tepër sekret deri në vitin 2022 dhe nuk rezulton të ketë asnjë informacion implikues ndaj tij. Por, në vitet 2002, 2003 dhe 2007, sipas DSIK, ka raportime se Veliu ka qenë i implikuar në lëvizjen e klandestinëve, favorizimin e falsifikimit të vizave, por që këto nuk kanë pasur vijueshmëri dhe nuk është hapur proces penal, si dhe nuk është marrë nën hetim apo i pandehur. I pranishëm në seancën dëgjimore, Ardi Veliu ka sqaruar pretendimet për përfshirje në falsifikim pasaportash në vitin 2007, duke thënë se prej 15 gushtit të 2006-ës nuk ka qenë pjesë e Policisë së Shtetit. I pyetur nga anëtarët e KJV se pse duhet të rikonfirmohet në detyrë, ai është përgjigjur: Unë si drejtor, por edhe si punonjës, jam i ndershëm dhe do punoj në të mirë të vendit. Respektoj çdo vendimmarrje. Ndërkohë, vendimi i KJV për kryepolicin, Ardi Veliu, shpallet sot në orën 09:45.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



