Dhjetëra milionë euro tendera për botën e krimit
Në një njoftim zyrtar fituesi i lëshuar nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP), i cili shton edhe një tjetër element në skemën e dyshuar të favorizimeve klienteliste dhe abuzimeve me tendera publikë.
Në dokumentin më poshtë OBP i Pogajt i jep tenderin një tjetër kompanie me përplasje etike dhe transparence


Në datën 04.07.2025, OBP ka shpallur fituese kompaninë PEPA GROUP GROUP shpk (NIPT: L42215009L), me adresë në Kashar, Tiranë, për kontratën me objekt:
“Rikonstruksion i Maternitetit Fier për Spitalin Fier”, me afat 13 muaj sipas grafikut të punimeve.
Ky tender është zhvilluar me procedurë të hapur, me referencë REF-49209-05-27-2025 dhe është një kontratë e natyrës Punë (ndërtimi).
Asnjë nënkontraktor apo subjekt mbështetës nuk është deklaruar, çka shton dyshimet për mungesë transparence në përbërjen reale të kapaciteteve zbatuese dhe financiare.
Kjo kompani, ndonëse e panjohur më parë për eksperiencë në rikonstruksione të objekteve të ndjeshme shëndetësore, është shpallur fituese për një vepër të tillë, pa garë reale dhe pa publikim të informacionit të detajuar mbi vlerën, konkurentët, apo arsyetimin teknik të vlerësimit.
Ky zhvillim i fundit e forcon bindjen se OBP, nën drejtimin e Arlinda Pogajt, po përdoret si një mekanizëm për të shpërndarë fondet publike në mënyrë klienteliste, jashtë çdo standardi konkurrues dhe me ndikime të mundshme politike apo kriminale.
Figurat më famëkeqe të botës së krimit të dënuar për trafik droge, prostitucion, pastrim parash dhe korrupsion vijojnë të përfitojnë miliona euro nga buxheti i shtetit përmes tenderave të dyshimtë dhe procedurave fiktive. Një rrjet i mirëorganizuar i ndarë mes drejtuesve të institucioneve publike dhe përfituesve të fondeve publike, ku emri i përbashkët është: krimi.
Në qendër të skandalit është vendosur drejtoresha e Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, Arlinda Pogaj, e cila ka firmosur mbi 11 milionë euro tendera vetëm për dy emra të njohur të krimit të organizuar: Lefter Lamaj dhe Gëzim Salillari.
Të dënuarit që blejnë shtetin
Ligji shqiptar ndalon kategorikisht personat e dënuar për trafik droge dhe krime të rënda të përfitojnë nga fondet publike. Por dokumentet zyrtare tregojnë se shteti, përmes firmës së Pogajt, i ka shpërblyer me miliona euro.

- Lefter Lamaj, i dënuar me 11 vite burg në Itali si bos prostitucioni dhe trafikant droge, është përfituesi real i kompanisë Abi’s shpk (ish-Devis), e regjistruar në emër të bashkëshortes së tij Kristinka Leka.
- Gëzim Salillari, i njohur si “Gëzimi i Kashtës”, trafikant droge me vendim penal, fshihet pas kompanisë Rej shpk, përmes ortakërisë së kompanisë Kliva.
Skema e pastrimit të parave dhe tenderave
Vetëm gjatë 12 muajve të fundit, kompania Abi’s shpk ka përfituar:
- 1.1 milionë euro për Sarandën (10 korrik 2025)
- 900 mijë euro për Traumën (16 shtator 2024)
- 1.3 milionë euro për Elbasanin (4 shtator 2024)
- 1.8 milionë euro për Vlorën (10 shtator 2024)
- 3.1 milionë euro për Psikiatrinë Elbasan (16 shtator 2024)
- 2.2 milionë euro për Traumën (sërish) (17 shtator 2024)
Të gjitha procedurat kanë formën e koncesioneve shumëvjeçare, mungesë konkurrence, dhe fitues të paracaktuar – tipike për tendera me flamur të kuq korrupsioni.
Drejtësia selektive gratë në pushtet, të paprekshme nga SPAK?
Nuk është rastësi që Arlinda Pogaj, e besuara e një ministri të kabinetit, është vendosur në krye të këtij mekanizmi. Burime nga brenda sistemit thonë se zgjedhja e saj është bërë edhe për faktin se SPAK dhe GJKKO kanë një qasje më të butë penale ndaj grave, duke ulur ndjeshëm rrezikun e ndëshkimit.
Gëzimi i Kashtës: Nga vilat e Durrësit në thesarin e shtetit

Në shkurt 2025, Pogaj i jep 1.2 milionë euro për kompaninë Rej shpk, për pastrimin e Spitalit Psikiatrik “Ali Mihali”. Edhe pse dy kompani të tjera ofruan çmime më të ulëta, kontrata shkoi tek subjekti nën hetim për lidhje me krimin e organizuar, në shkelje flagrante të ligjit.
Vetëm në pesë vitet e fundit, kompania Rej ka përfituar mbi 30 milionë euro nga Thesari i Shtetit.
Ku është SPAK?
Të dy personazhet – Lamaj dhe Salillari – janë subjekte të ligjit anti-mafia, ndërsa kompanitë që përdorin janë në dukje mekanizma për pastrim parash dhe legalizim të fitimeve kriminale.
SPAK duhet të veprojë urgjentisht:
- Të nisë hetim pasuror ndaj kompanive përfituese
- Të sekuestruar pasuritë nëse rezultojnë produkte të parave të pista
- Të procedojë penalisht Arlinda Pogajn dhe zyrtarë të tjerë të përfshirë







