E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Arratisja e mistershme e Daut Lazes nga burgu i Shënkollit
Lajme

Arratisja e mistershme e Daut Lazes nga burgu i Shënkollit

 

Mbrëmjen e së hënës, më 3 shkurt, Daut Laze, një 49-vjeçar me rrezikshmëri të lartë shoqërore, arriti të arratisej nga burgu i Shënkollit në rrethana që kanë ngritur pikëpyetje mbi sigurinë e institucionit. Detaje të reja nga hetimet tregojnë se ai nuk është ndihmuar nga persona të brendshëm, por ka shfrytëzuar një moment boshllëku në sistemin e mbikëqyrjes.

Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, Laze ndodhej në sektorin e trajtimit mjekësor dhe ka përfituar nga mungesa e stafit të burgut pranë tij. Ai ka dalë në ajrim dhe aty ka përdorur një llamarinë, të cilën e ka mbështetur në murin rrethues, duke u ngjitur mbi të dhe duke kapërcyer një mur mbi 4 metra të lartë. Pas kalimit të murit, ai ka kaluar edhe rrjetën rrethuese dhe është larguar me vrap drejt fushave përreth burgut, duke u zhdukur pa lënë gjurmë.

Një arratisje e zbuluar me vonesë

Mungesa e Lazes u konstatua vetëm gjatë ndërrimit të turneve të gardianëve, çka tregon një neglizhencë të rëndë në kontrollin e të burgosurve. Menjëherë pas alarmit, Policia e Shtetit nisi kërkimet, duke organizuar kontrolle të imtësishme në zona të ndryshme ku dyshohej se ai mund të ishte strehuar. Për të siguruar bashkëpunimin e qytetarëve, u vendos një shpërblim prej 10 mijë eurosh për çdo informacion që çon në kapjen e tij, por deri tani nuk ka asnjë gjurmë të 49-vjeçarit.

Nëna e tij, e kontaktuar nga mediat, tha se nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e të birit:
“Jam nëna. S’ka telefonuar. Nuk kemi asnjë haber fare, po të kisha do të thosha.”

Kush është Daut Laze?

Daut Laze është arrestuar më 16 nëntor 2021 për dhunë në familje. Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata e Tiranës vendosi ndaj tij masën “Mjekim të detyruar në një institucion spitalor”. Për shkak të problemeve të tij të shëndetit mendor, ai u transferua në burgun e Shënkollit pas mbylljes së spitalit të Zaharisë për kushte çnjerëzore.

Arratisja e tij ngre shqetësime serioze për sigurinë e burgjeve dhe neglizhencën e sistemit penitenciar. Ndërsa forcat e policisë vazhdojnë kërkimet, ngrihen pyetje se si një i dënuar për dhunë, i diagnostikuar me probleme mendore, ka arritur të mposhtë masat e sigurisë së një burgu të mbikëqyrur.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.