Arrestimet e SPAK/ Çfarë fshihet pas pastrimit të 18 milionë eurove, roli i biznesmenit Rezart Taçi e “ortakët” e italianit të ‘Cosa-Nostra
operacion mes autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane çoi në zbulimin e një skeme financiare të një grupi kriminal në fushën e pastrimit të parave.
SPAK ka lëshuar tre urdhër-arreste për tre persona. Ata dyshohen se janë marrë me pastrim parash, vlera e së cilës përllogaritet dhjetëra miliona euro. Hetimet janë kryer nga SPAK, në bashkëpunim me autoritetet italiane.
Deri më tani janë arrestuar dy persona, të identifikuar si Artur Balla dhe Bledar Lilo.
Po ashtu, i përfshirë është dhe Rezart Taçi, i cili është shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare.Dyshohet se personat e sipërpërmendur kanë bashkëpunuar me dy italianë, Francesco Zummo e Fabio Petruzzella, si edhe 1 zviceran në skemën e pastrimit të parave.
BASHKEPUNIMI
Pjesë e kësaj skeme financiare, me ndihmën e shtetasve shqiptarë të përfshirë, ka qenë edhe kryerja e disa veprimeve dhe transaksioneve bankare në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri, veprime të cilat janë realizuar vetëm pjesërisht dhe nuk është arritur që të realizohen plotësisht, për shkak të veprimeve hetimore të kryera nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Gjatë hetimeve janë mbledhur prova se ndihma në këtë rast për transferimin dhe fshehjen e shumës monetare është bërë kundrejt premtimit për marrjen e përqindjes së caktuar të përfitimit monetar, në raport me shumën monetare që është transferuar në Shqipëri dhe që do të vijonte të transferohej në vende të tjera”, shkruhet në njoftimin e SPAK.
Ish-bosi i naftës Rezart Taçi, kunati i tij, Artur Balla dhe ish-truproja e tij, Bledar Lilo, janë të përfshirë në një skemë pastrimi të parave përmes firmave të naftës.
Kjo është akuza që SPAK ka ngritur sot pas hetimeve disamujore që ka nisur në bashkëpunim me Antimafian italiane. Skema e pastrimit të parave përmes transaksioneve bankare bëhej në Shqipëri, Itali dhe Zvicër, ku Taçi dhe dy njerëzit e tij bashkëpunonin me 4 italianë për pastrimin e parave të krimit të “Cosa Nostra”-s.
Taçi dyshohet se bashkëpunonte në Itali me 90-vjeçarin Francesco Zummo-n dhe Fabio Petruzzellan, të cilët janë dy nga italianët e arrestuar në Itali, si të përfshirë në skemën e pastrimit të parave, ndërsa janë në kërkim ende edhe dy italianët e tjerë I. Z. dhe D. C.
NJOFTIMI I SPAK
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, mbi bazën e informacioneve dhe verifikimeve kryesisht, ka regjistruar procedimin penal nr. 211 viti 2021, për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”.
Nga veprimet hetimore të kryera për këtë procedim penal, në bashkëpunim me policinë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, në bashkëpunim dhe në koordinim me Drejtorinë Distrektuale Antimafia në Prokurorinë e Republikës në Gjykatën e Palermos, Itali, janë siguruar dhe janë mbledhur prova konkrete, nga të cilat janë krijuar dyshime të arsyeshme për organizimin dhe funksionimin e një operacioni kompleks financiar ndërkombëtar të kundërligjshëm, të shtrirë në disa shtete të ndryshme, që ka pasur si qëllim ‘pastrimin’ e një shume monetare të konsiderueshme që përbën produkt të veprimtarisë kriminale.
Janë mbledhur prova se kjo skemë financiare është drejtuar nga shtetasit italian F. Z. dhe I. Z., në bashkëpunim me shtetasin italian F. P., të shtetasit zviceran me origjinë italiane D. C., si dhe të shtetasit shqiptar R. T., i përfshirë në biznese në sektorin e naftës.
Ky i fundit, në funksion të kryerjes së kësaj veprimtarie, ka angazhuar në këtë veprimtari personat e vet të besuar, rezidentë në Shqipëri, respektivisht shtetasin A. B. dhe shtetasin B. L.
Pjesë e kësaj skeme financiare, me ndihmën e shtetasve shqiptarë të përfshirë, ka qenë edhe kryerja e disa veprimeve dhe transaksioneve bankare në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri, veprime të cilat janë realizuar vetëm pjesërisht dhe nuk është arritur që të realizohen plotësisht, për shkak të veprimeve hetimore të kryera nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Gjatë hetimeve janë mbledhur prova se ndihma në këtë rast për transferimin dhe fshehjen e shumës monetare është bërë kundrejt premtimit për marrjen e përqindjes së caktuar të përfitimit monetar, në raport me shumën monetare që është transferuar në Shqipëri dhe që do të vijonte të transferohej në vende të tjera.
Gjatë hetimeve paraprake të kryera lidhur me këtë procedim penal është vendosur masa e sekuestrimit për shumën monetare prej 18,399,941.50 (tetëmbëdhjetë milionë e treqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë, e nëntëqind e dyzet e një, pikë pesëdhjetë) euro.
Kush janë dy italianët që bashkëpunuan me Taçin. Mediat italiane: Njëri ka lidhje të forta me “Cosa Nostra”-n
Autoritetet italiane kanë ndarë detaje të reja për dy nga të arrestuarit për pastrim parash, ku në pranga ranë edhe dy shtetas shqiptarë, si dhe u shpall në kërkim biznesmeni Rezart Taçi. Mediat e vendit fqinjë shkruajnë se një nga personat e përfshirë është 90-vjeçari nga Palermo Francesco Zummo.
Emri i tij nuk ishte i panjohur për drejtësinë, pasi edhe në të kaluarën ishte dyshuar për implikime në skemën e pastrimit të parave si dhe njihej si mik i afërt i ish-kryebashkiakut Vito Ciancimino. Po ashtu, në pranga ka rënë edhe kontabilisti Fabio Petruzzella, i cili është vëllai i një magjistrati në Palermo.
Ai dyshohet se ka vendosur 19 mln euro në një llogari bankare në Tiranë, për të shpëtuar këtë shumë parash nga konfiskimi.
“Hetimi përfshin gjithashtu një grup shqiptarësh që dyshohet se ndihmuan Zummo-n dhe bashkëpunëtorët e tij në operacionet e tyre financiare”, shkruajnë mediat.
Emri Francesco Zummos bëhet i njohur në mediat italiane në vitin 2001, ku pas një operacioni u sekuestrua pasuri me vlerë rreth 150 milionë euro.
Dyshohet se personat e implikuar asokohe, mes të cilëve edhe Zummo, pastronin para për mafien e njohur “Costra Nostra”. Gjithashtu, edhe Shqipëria u përmend në atë hetim, pasi dyshohej se rreth 19 mln euro ishte vendosur në një bankë në Tiranë.
Zummo njihej si një person i afërt i ish-kryebashkiakut mafioz Vito Ciancimino dhe mendohej se ai merrej me pastrimin e parave të tij kriminale, duke depozituar para në shumë banka botërore, si Zvicër, Shqipëri dhe Kanada.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



